Artiola Toska
Gratë shqiptare duhet të bëjnë më shumë për të realizuar veten
E kujdesur, miqësore dhe harmonike , ajo duket se flet për muzikën me po të nëjtin pasion të madh që edhe e këndon atë. Artiola Toska është padyshim një artiste në të gjitha dimensionet e fjalës, një zë i rallë i muzikës popullore, një grua e suksesshme, por edhe si një njeri me një botë të brendshme shumë të pasur, një njeri që dashuron pikturën , artin, ngjyrat dhe të bukurën në tërësi. Këngët e saj janë si një psherëtimë që prekin tema të mëdha me të cilat është e lidhur jeta e përditshme e çdo shqiptari. Mesazhi i saj është i qartë dhe thelbësor, dashuria e bën jetën më të mirë dhe po ashtu njeriun . Në këngët e saj ka ide, por edhe shumë muzikalitet e ritëm që e fton çdo artdashës në kërcim. Thjeshtësia dhe komunikimi i afërt me publikun janë dy asetet e patjetërsueshme të Artiolës si artiste dhe si njeri. Prej kohësh jeta e saj vërtitet mes Tiranës, turneve jashtë Shqipërisë dhe Riminit në Itali, por përtej kësaj duket se jeta e saj është më së shumti një jetë mes këngës. Ajo shpeshherë vjen në vemendje me këngë të reja, publikime autentike. Takimi me Artiolën dhe biseda me të si mysafire e veçantë në ‘’Albanian Woman’’ kishte në vetvete një bashkësi emocionesh , të cilat do të vijnë tek ju si një buqetë shumëngjyrëshe nëpërmjet rreshtave.
Artiola, mirë se vini mysafire për të parën herë në revistën “Albanian Woman”. Si ka nisur ky sezon për Artiolën? Si është?Me çfarë po merret?
Përshëndetje dhe ju falenderoj për ftesën për intervistë. Për momentin jam në përgatitje, do të vij për publikun me këngë të reja. Do të jetë me një emër që kam bashkëpunuar edhe më herët, me Ponin. Ne kemi pasur së bashku edhe një bashkëpunim më këngën “Fol shqip”, një këngë që është pritur mjaft mirë nga publiku dhe mjaft e suksesshme. Duke qenë se edhe kërkesat që të jemi në koncerte të dyja bashkë sa vijnë e shtohen, vendosëm të bëjmë një këngë këtë herë më zbavitëse, më lozonjare dhe shpresojmë të pritet mirë.
Një nga këngët tuaja të fundit, e etiketuar si hit dhe që ende pëlqehet e dëgjohet shumë është “Mirëmëngjes dashni”. Si lindi kjo këngë ?
Më erdhi si propozim nga Flori. Pasi e dëgjova pranova, më pëlqeu dhe e lam që do diskutonim për klipin. Unë isha në Itali në koncerte kur një mëngjes Flori më telefonon dhe më thotë se kishte menduar që të merrja pjesë tek “Kënga Magjike”. Në fillim isha pak skeptike, por publiku e priti shumë mirë, i kaloi parashikimet e mia mund të them. Pata fatin të këndoja me Brunon, një djalë i talentuar shumë. Jam e lumtur që kjo këngë u bë dhe vazhdon të behët lajmotiv i shumë çifteve.
Sa vite u bënë karrierë, qëkurse Artiola nuk i ndahet skenës dhe muzikës?
U bë që nga viti 1992 që jam në skenën e të rriturve sepse më përpara kam qenë në skenën e fëmijëve, në festivalet e fëmijëve në 1985 -1986- ën.
Në gjithë këto vite karrierë cilën njihni si këngën më të bukur, momentin më të bukur në karrierë, por edhe atë më pak të bukur?
Të gjitha kanë qenë momente të veçanta dhe raportin tim me muzikën do ta shpjegoja me një shprehje të Bethowen : “Muzika është gjuha e shpirtit. Ajo njerr prej nesh, jo instiktet, por mendimet më të thella.” Në këtë kuptim, dua edhe të shtoj faktin se shumica e këngëve të mia kanë qenë idetë e mia orgjinale. Tek këto të fundit kanë qenë krijimet totale të miat, por që gjithësecila ka pasur suksesin e vet, sepse varet kush ka gjetur veten tek ato këngë. Unë e quaj të suksesshme një këngë, kur publiku e pret mirë sapo e dëgjon atë në skenë dhe një nga këto ka qenë “Mirë me vjerrën, mirë me burrin”; ka qenë këngë që goditi pa dal klipi fare. Të tjera kanë qenë : “Goc tirone” që ka pasur të njëjtin efekt. Unë kështu e bëj, pa dal klipi, rrëzikoj , i provoj në skenë sesi do të priten nga publiku, çfarë reagimi do marr nga ta. Kënga “Fol shqip” ende ka efekt dhe do ketë sepse edhe vetë tema në vetvete është e fortë, dhe pastaj këto “Dashnia s’ka kombësi” dhe “S’na gjendet dermani” janë këngë që pëlqehen sidomos nga shqiptarët që jetojnë jashtë, sepse janë shumë të prekshme për ta, i jetojnë në përditshmëri këto fenomene. Këto kanë qenë edhe gjerat më të bukura. Ai emocioni që ti e ndjen kur e shfaq këngën për herë të parë dhe kur ti del në publik dhe kur publiku reagon siç ti e pre. Ky për mua është momenti më i bukur. Kam pasur raste interesante si për shembull tani me këngën “Dashnia s’ka kombësi”. I thashë publikut , ju lutem fikini kamerat e telefonat se do këndoj një këngë që s’ka dal akoma në youtube. Sa ka filluar refreni, shpërtheu salla sikur ta dinin këngën, herën e dytë e kanë kënduar së bashku me mua. Këto janë momentet më emocionuese. Pastaj momente të këqija ka plot, për shembull , bie në skenë, rrëzohesh se edhe ne normalisht njerëz jemi, por që njëherë më ka ndodhur para shumë vitesh në Zvicër, më rrëshkiti këmba dhe rashë me gjithë mikrofon nga skena, po isha ora 3:30 dhe nuk u vu re shumë, ishte mbushur pista e nuk u morr vesh. (Qesh) Rasta ka plot, por jo ndonjë të ngulitur në mendje, më mirë ta lemë me shijen e të mirave.
Nëse nuk do ishit bërë këngëtare, çfarë profesioni tjetër do kishit synuar?
Kam përshtypjen se do isha vendosur vetëm në rrugën e artit. Më pëlqen shumë piktura dhe deridiku edhe kam pikturuar vetë, por asnjëherë nuk e mendoj veten dhe nuk dua fare ta mendoj se mund të jem jashtë muzikës. Ndoshta edhe instrumentiste. Violinën gjithmonë e kam dashur dhe vazhdoj ta dua shumë.
Gjithë ky pasion dhe talent për muzikën popullore ka qenë i lindur tek ju? A është dikush tjetër në familje që këndon?
Pasioni për muzikë vjen tek çdo fëmijë, të paktën këtë kam parë e njohur tek çdo familje tiranëse, për muzikën në përgjithësi dhe muzikën popullore në veçanti. Ndërsa karakteri i vokalit tim për muzikën popullore vjen i lindur, është diçka e lindur, veç ajo nuk mesohet kurrë. Ndërsa pasioni im për muzikën, pasi edhe unë dëgjoj shumë muzikë të lehtë, shumë më tepër se muzikë popullore, i dëgjoj se më pëlqen muzika në përgjithësi. Në familje mamaja ime dhe motra ime këndojnë dhe kanë zë shumë të mirë, por nuk janë marr me të, pasi edhe në peridhën që mamaja ime ishte e re ka qenë edhe kjo pjesa e mentalitetit e traditës në familjet tiranase.
Kur thua që dëgjon muzikë, çfarë muzike dëgjon, të huaj apo shqiptare?
Kryesisht unë dëgjoj shumë instrumentale me këto grupet “Bond” , më pëlqen Andre Rieu violinisti, Kenny G, kam shumë nga këto albumet që i dëgjoj me shumë qejf, Jani më pëlqen, pianist grek etj. Nga këngëtarët e muzikës së lehtë shqiptare më pëlqen dhe vlerësoj shumë si artistë dhe si njerëz : Alban Skënderaj ,Vedat Ademin dhe Flori Mumajesin.
Si e sheh gjendjen e muzikës shqiptare sot, raporti me zhaneret , raporti me komercialen?
Ka një lloj përzierje momentalisht sepse këngëtarët e muzikës së lehtë e kanë kuptuar që fitimin e kanë tek muzika folk. Ndaj edhe përmenda Alban Skënderajn sepse është i vetmi që nuk e ka ndryshuar stilin e tij të të kënduarit, vazhdon të jetë i suksesshëm me profilin e tij. Nuk jam për të mos provuar të këndojnë rryma të tjera, por jam dakord që duhet ta tentojnë vetëm nëse janë të aftë ta bëjnë.
Cilët janë miqtë më të mirë të Artilës në muzikë, në botën e artit?
Miqtë e afërt janë edhe njerëzit që bashkëpunoj dhe kemi punuar më gjatë. Mund të përmend Bujar Qamilin, Ponin si një mikeshë shumë e afërt, Sinan Hoxhën, Flori Mumajesin . Këta janë miqtë më të afërt, me të cilët shkëmbejmë edhe mesazhet e para mbi planet tona, projektet, kur lancojmë një këngë tej.
Cila do ishin fjalët ideale që Artiola do ia thoshte një këngëtari të ri të talentuar?
E para, që do i thoja do ishte që ta shfrytëzonte atë dhuratë që i ka dhënë Zoti, zërin. Është dhurata më e madhe për këngëtarin. Këtu mund të bësh një këngë shumë të bukur, e bëre hit, more emër , more famë, ja filluan koncertet. Problemi është si ta mbash? Nëse ti nuk je i afërt me publikun , me atë që të jep duartrokitjen , që të ka pëlqyer këngën. Për mua thelbësore thjeshtësia dhe komunikimi me publikun, është çelësi i një suksesi të përjetshëm. Dhe sigurisht duhet të pushosh shumë.
Nga udhëtimet që bën , cili vend ju ka surprizuar më shumë?
Australia padyshim. Është e bukur dhe kam pasur mundësi ta shëtis, sepse atje kur shkon për tre koncerte duhet të rrish të paktën dy javë se është larg.
Dukesh gjithmonë në formë, e freskët. Sa kujdesesh për pamjen tende?
Përveç genit them se kjo është falë ritmit të punës, por edhe falë gjendjes së mirë shpirtërore. Unë jam shumë e lidhur me punën, jo prej pjesës ekonomike të të ardhurave, por puna është përmbushëse për mua.
Raporti me modën?
Nuk harxhoj shumë kohë,jam shumë e kollajt për zgjedhje dhe blerje. E pash në vitrinë dhe e marr e fus në qese, as nuk e provoj, nuk jam manjake e markave, edhe e brendeve, marr edhe 10.000 mije lekë edhe 100.000 lekë. Sidomos tani në Itali, dal për të blerë bukë e kthehem me dy fustane.(Qesh)
Jeta private. Një ditë e zakonshme për Artiolën?
Duke qenë se tani jam e ndarë në dy shtete një tjetër lloj kalendari kam këtu, një tjetër atje. Kryesisht bëj po të njejtat gjera se atje je më e lirë. Del konsumon atë kafen e mëngjësit. Gatuaj për drekë dhe gatuaj me pasion sa më thotë një shoqja ime : “I këndon sipër”. Këtu në Tiranë e pi kafen e mëngjesit në shtëpi, kam shtëpi me oborr. Kurse atje dal me biçikletë pasditeve bashkë me bashkëshortin, na bën mirë si fizikisht, si psikologjikisht.
Po me Anglinë çfarë raporti keni, shkoni shpesh?
Po shkoj shpesh nëpër koncerte dhe mund të them se më pëlqen shumë si qytet, is kulturë, si vend, është mjaft interesant në të gjitha dimensionet.
Cili është emocioni merrni kur këndoni për publikun shqiptar që jeton jashtë kufinjve?
Sigurisht që është një emocion shumë i veçantë sepse kur dëgjojnë që u këndohet shqip gëzojnë.
Cili është asosacioni i parë kur dëgjoni fjalën gruan , po grua shqiptare nëpër botë?
Për gratë shqiptare do të thoja se u duhet të bëjnë më shumë për të realizuar veten, për të qenë të suksesshme në punët që bëjnë dhe të shohin gjithmonë përpara. Gruaja shqiptare nëpër botë, kudo ku ka shkuar ka ditur të arrijë më të mirën , gratë shqipatre janë punëtore, të vemëndshme dhe kur I vënë vetes qëllime e arrijnë.