Këtë të shtunë më datën 17 mars, Mirela Sula dhe platforma e saj e ndërkombëtarizuar ‘’Global Woman’’ do të mbajnë një konferencë me titullin ‘’What’s Wrong With Men’’. Konferenca vjen si një nevojë dhe një dritare e madhe informimi e këshillimi në një kohë kur kudo nëpër botë ka qenë i ndezur debati për barazinë gjinore, stereotipat dhe rolin e femrave dhe meshkujve në shoqëri. Sa e vështirë është që mes femrave dhe meshkujve si natyra biologjiket dhe fiziologjikisht të ndryshme të ndërtohen ura dhe linja komunikimi në jetën e përditshme? Konferenca e rëndësisë së lartë ku do të flasin disa nga gratë e burrat më të fuqishëm sa i takon jetës ekonomiko-sociale nga Londra, Parisi, SHBA-ja e largët etj, ka tërhequr vëmendjen edhe të kanalit prestigjioz ‘’Channel 5’’.
Pikërisht në një nga emisionet më të ndjekura të televizionit britanik është folur gjerë e gjatë për konferencën dhe për dobinë e saj në fuqizimin e grave dhe përmirësimin e raporteve gjinore. Marrëdhënia e vështirë shpeshherë mes meshkujve dhe femrave, e cila sikundër shikojmë në televizion përfundon edhe në ngjarje të rënda: dhunë, diskriminim gjinor, ngacmime seksuale etj është më shumë sesa një çështje ‘’kulturore’’ e vendeve të pazhvilluara. Ajo është një problem global që kërkon zgjidhje. Jo të gjitha gratë janë viktima dhe jo të gjithë burrat janë abuzues, ky është një ndër stereotipat të cilin konferenca do të tentojë ta ‘’thyejë’’ duke lobuar dhe vënë theksin tek kultura e bashkëpunimit, respektit dhe meritokracisë që duhet të ekzistojë mes burrave dhe grave.