irisIris Çarçani

Psikiatre/ Londër

Sa ndryshe është relata e nënës me djalin nga ajo me vajzën? Shumë! Ndonëse dashuria dhe dedikimi që përjeton nëna janë të padallueshme, është e pamundur që natyra e lidhjes të jetë e njëjtë. Dhe kjo manifestohet në të gjitha fazat e zhvillimit të fëmijërisë dhe rinisë madje dhe në moshat e rritura.

Djemtë dhe vajzat rriten ndryshe, fitojnë aftësira në mosha të ndryshme dhe kanë nevojë për një vëmendje dhe një lloj përkujdesje që është e ndryshme. Për shembull, vajzat zakonisht (ka dhe përjashtime) flasin më shpejt, janë më të shkathta nga ana sociale, me komunikuese dhe më kompetente nga ana akademike. Ato llastohen nga të tjerët për virtytet që kanë ndërsa tek djemtë festohet të qënit “çapkën” sidomos në familjet mesdhetare. Shpesh djemtë marrin shumë tipare fizike nga nënat gjë që e shton afinitetin ndërmjet tyre akoma dhe më tepër. Ndërsa vajzat e vogla fillojnë që herët të mësojnë të jenë pavarura duke fituar aftësira për t’u kujdesur për veten dhe të tjerët, në përgjithësi djemtë e vegjël mësohen që dikush tjetër të kujdeset për ta, që në shumicën e rasteve është nëna. Kjo e fundit është UNIVERSI për ta! Ndërkohë që ky nuk është fenomen absolut, ndodh shpesh sidomos në kultura të caktuara ku kodi i sjelljes “femërore” apo”mashkullore” përçon marrëdhëniet familjare dhe sidomos atë nënë-fëmijë. Kuptohet që mënyra se si zhvillohet një relatë e tillë varet nga shumë faktorë.

Nënës i duhet një model social dhe familjar për t’u mbështetur në ndërtimin e kësaj marrëdhënie. Ndërkohë që modelin nënë-bijë ajo e ka gati (eksperienca e saj personale me nënën e saj), për marrëdhënien më djalin i duhet të kërkojë diku tjetër, në marrëdhëniet e të tjerëve me djemtë, në marrëdhëniet e saj më gjininë mashkullore dhe në stereotipet për kodin “mashkullor” që gjeneratat e familjes apo të një shoqërie të tërë servirin. Faktorë të jashtëm e kushtëzojnë zhvillimin e kësaj marrëdhënie po ashtu. Jo rrallë, vetë marrëdhënia midis prindërve. Por trafiku i faktorëve është i dyanshëm. Ashtu siç një marrëdhënie çifti të distancuar mund të çojë në një lidhje nënë-bir shumë intensive dhe intime,   kjo e fundit vetë shumë herë kontribuon në distancimin e nënës nga babai. Në raste të tjera, abuzimi dhe dhuna në relatën martesore mund të çojë në modele të marrëdhënies nënë-bir ku nëna sheh tek djali “abuzuesin”, por nga ana tjetër mund të marrë një drejtim krejt tjetër, një “varësi reciproke” ku të dyja palët mbështeten tek njëri tjetri për mbrojtje, siguri dhe ushqim emocional. Në situata të tjera, kur nëna është në gjendje jo të mirë shëndetësore ose kur babai largohet para kohe nga jeta familjare, djali në mënyrë të natyrshme merr rolin e “partnerit” të nënës si nga ana praktike ashtu dhe psikologjike. Varësia dhe gërshetimi i shumë aspekteve emocionale theksohen akoma më shumë në këto situata, veçse në këto raste jo vetëm i djalit tek nëna por dhe anasjelltas. Krijohet një partneritet i tillë i ngushtë dhe intensiv që në mënyrë të ndërgjegjshme apo të pandërgjegjshme mbjell farat e shpresës së të ekzistuarit si e tillë përjetësisht!

 

mother-and-son-embrace

Adoleshenca dhe rinia e hershme

Ah, moshë e vështirë! Normalisht pritet një lloj distancimi në marrëdhëniet prind-fëmijë pasi grupet a moshatarëve janë burimi kryesor i stimulimit social, intelektual, emocional dhe i reflektimit të vetes: “kush jam unë?”. Ndërkohë që për vajzën adoleshente të vazhduarit e një marrëdhënie të ngushtë me nënën vjen në mënyrë të natyrshme, biles pranohet dhe inkurajohet nga stereotipet kulturore dhe sociale të çdo shoqërie, djalit dhe nënës u del një detyrë paksa e vështirë për t’u zgjidhur. Afiniteti me adoleshentët e tjerë meshkuj fillon të konkurrojë me relatën kaq unike dhe intensive me nënën. Biles, kur e kjo e fundit është shumë e ngushtë fillon të shikohet si dobësi. Shpesh djemve adoleshentë u vjen turp kur afeksioni fizik më nënën shfaqet publikisht. Po bisedat për probleme intime, emocionale apo dhe praktike? Me kë duhet të bëhen? Me nënën? Në shumë kultura kjo është e pranueshme, por në përgjithësi stereotipet sociale imponojnë marrëdhënien mashkull-mashkull në këtë moshë! Babai fillon të bëhet figurë më e rëndësishme për identifikimin e djalit të ri me të bërit “burrë”! Të rrëfyerit tek “mami” nuk duartrokitet shumë në grupet e adoleshentëve meshkuj. Ndërkohë, kujdesi fizik për të siguruar mirëqenien e adoleshentit të ri vazhdon të jepet pa kushte, dhe në shumicën e rasteve, totalisht nga nëna.

Më tutje, zhvillimi seksual fillon të sjellë sfida të tjera tek marrëdhënia nënë-bir. Ndërkohë që vajza e re që po zhvillohet në një grua e shton në mënyrë të natyrshme afinitetin fizik dhe emocional me nënën, e kundërta ndodh me djalin. Çdo gjë bëhet në mënyrë të natyrshme paksa jo e lehtë. Një lloj HUMBJE, NDARJE përjetohet nga të dyja palët po sidomos për nënën! Ky proces bëhet kulminant kur zhvillimi seksual dhe psiko-social çon në krijimin e marrëdhënieve intime seksuale me partneret e tyre. Vendin e nënës në relatën intime fillon ta zërë dikush tjetër. Megjithëse ecuria e këtij procesi ndjek shtigje të ndryshme për individë të caktuar, në varësi nga rrethanat e tyre personale, fenomeni i “shkëputjes” është universal.

Çështja qëndron nëse të dyja palët arrijnë ta shohin dhe ta njohin këtë si diçka të natyrshme, progresive dhe jo si kërcënim dhe zëvendësim të dashurisë unike dhe shumë të thellë, ajo që është për nënën. Ku ky proces nuk zgjidhet në mënyrë të shëndetshme zakonisht “Beni nuk ecën dot kollaj vetë”! “Shkëputja” nuk ndodh kur dhe si duhet. Djali mbetet “partneri”apo “prona” e nënës për më shumë seç duhet për një relatë të shëndetshme.

 

9k=-1

Djali adult

Ata që menduan që problemi i “ndarjes”, mirë apo keq, u zgjidh me mbarimin e adoleshencës shumë herë zhgënjehen. Pothuajse të gjitha nënat ëndërrojnë dhe urojnë me pasion që djali të gjejë një grua të mirë, të bukur, të dashur, amvisë (dhe kështu mund të vazhdoj me radhë, me shumë virtyte femërore), shoqe për jetën. Megjithatë, diku në koshiencën apo sub-koshiencën e tyre ato e dinë që në momentin që kjo ndodh “frika e humbjes së djalit” bëhet realitet. Dikush e pranon lehtë dhe me kënaqësi, dikush vazhdon në një mënyrë apo në një tjetër të mos heqë dorë nga të qenit “gruaja më e rëndësishme” për djalin. Djalit burrë tani i duhet të luajë lojën me kujdes! Gratë zakonisht largohen nga djemtë e rinj të cilët nuk janë “shkëputur” psikologjisht dhe emocionalisht nga relata më intensive me një grua tjetër që ka bërë çdo gjë për ta. Ato që nuk largohen, pranojnë në heshtje ose me vuajtje më të dukshme konkurrencën dhe ndërhyrjen e vazhdueshme te realtës nënë-bir. Shumë faktorë influencojnë këtë fazë zhvillimi, si personalë ashtu dhe socialë e kulturorë. Ka shumë meshkuj për të cilët këto hapa bëhen shumë të vështirë, martesa ndodh shumë vonë dhe konflikti i brendshëm se kush është “më e rëndësishmja” vazhdon të gërryejë psikën e tyre edhe pse mund të jenë futur në dekadën e katërt të jetës.

Ironia qëndron në faktin që presioni për t’u shkëputur nga intimiteti me nënën djalit nuk i vjen më nga adoleshentët meshkuj, por nga vajzat e reja të cilat në fakt “gllabërojnë” seksin mashkull për t’u kthyer vetë në nëna! Dikush do qeshte ose do rrudhte vetullat po të dëgjonte një hipotezë tentative që djali mashkull shndërrohet në veglën ndërmjetëse që mundëson rivalitetin femëror përmes gjeneratave të tëra.

Por nëse kjo është e vërtetë apo jo, pak rëndësi ka. Vjen një fazë tjetër që është më e rëndësishme për sa i përket marrëdhënies nënë-bir, ajo ku djali bëhet baba vetë! Nëna bëhet gjyshe dhe çdo gjë tashmë duket e transformuar. Fenomeni i “ndarjes nga djali” dhe i “humbjes së tij” kthehet mbrapsht. Nëna fiton djalin prapë por nëpërmjet gjeneratës tjetër, nipit apo mbesës. Përveç kënaqësive të tjera që sjell të bërit gjyshe, ardhja e një fëmije tjetër në familje zgjidh në një farë mënyre konfliktin e krijuar nga rivaliteti femëror midis partnereve të djalit (nënë/grua).

Të bërit baba sjell dhe avantazhe të tjera për djalin të cilit i jepet prapë mundësia për të vlerësuar dashurinë e pashtershme dhe unike për nënën, mundësia për t’iu rikthyer kujtimeve të fëmijërisë kur nëna ishte universi për të, pa të cilën nuk mund të bënte dot gjë. Po ashtu të qënit baba, i shton djalit subjektet për biseda me nënën, i jep atij mundësinë për t’i dhënë nënës dhe një herë shansin e të qenit e dobishme në mënyrë absolute! Jo se kjo fazë është pa probleme, pasi konkurrenca femërore mund të vazhdojë dhe për gjeneratën e re, por arrihet një lloj ekuilibri të cilin e mban gjallë diçka shumë unike- dashuria e thellë dhe e papërsëritshme për Nënën! Djalë apo vajzë? Suksesi varet nga dueti, orkestra por mbi te gjitha dirigjenti NENE!

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *