Enerjeta Tafa
Duajeni veten dhe bëhuni ndryshimi që doni të shihni tek të tjerët!
Nga Fatima Gorezi
Enerjeta Tafa prej më shumë se 20 vitesh jeton jashtë Shqipërisë. Fillimisht është shpërngulur në Greqi dhe më pas në Suedi,vendin në të cilin sot punon dhe jeton me familjen. Rrugëtimi i saj drejt përmirësimit të kushteve sociale dhe ekonomike të jetës nuk ka qenë kurrë i lehtë, por ajo ia ka dal në gjithçka që i ka vendosur vetes si qëllim. Një grua e fortë, konfidente, me një pasion të paepur për të jetuar bukur dhe ndihmuar të tjerët, Enerjeta asnjëherë nuk është mposhtur nga sfidat, duke i kthyer ato në forcë dhe fuqi për të ecur përpara. Aktualisht ajo punon në një sallon bukurie në Stokolm dhe vazhdon studimet në psikologji. Psikologjia, sikundër pohon ajo, e ka ndihmuar të njohi më shumë botën e saj të brendshme, ndjenjat dhe dëshirat, të mësoj të shprehet dhe të nis të bëj realitet ëndrrat e saj, këtë herë jo vetëm për të tjerët, por edhe mbi të gjitha për vete. Në këtë rrëfim për ‘’Albanian Woman’’ ajo tregon me sinqeritetin e një njeriu gjithmonë pozitiv dhe të një gruaje plot pasione, gjithë rrugëtimin e saj si qenie sociale e kulturore në Suedi , eksperiencën e jetës, vështirësitë, sakrificat , por edhe arritjet.
Kush është Enerjeta Tafa? Mund të na tregoni më shumë rreth rrugëtimit të jetës suaj
Unë kam lindur në një fshat të varfër të Gramshit, në një familje me 13 fëmijë. Gjëja që më pëlqente më shumë atje ka qenë natyra dhe mund të them se kam nostalgji për atë vend. Ai nuk ekziston më sot, pasi atje u ndërtua hidrocentrali i Banjës,por vazhdon të mbetet një kujtim i bukur i kujtesës sime. Pasi mbarova shkollën 8-vjeçare mora një bursë për të vazhduar shkollën e mesme Ekonomike në Berat. Pasi mbarova shkollën, kishte ardhur një periudhë e vështirë për Shqipërinë sikundër ishte tranzicioni dhe unë si gjithë të tjerët ëndërroja që të ikja jashtë shtetit për të punuar dhe jetuar,për të ndërtuar një jetë të re. Periudha që kalova në fshat para se të shkoja në Greqi ishte sikur koha kishte ndalur, nuk ndodhte asgjë…,akrepat nuk ecnin, ndihmoja familjen me punët e shtëpisë, punoja tokën etj. Në vitin 1996 vendosa të ikja në Greqi, kuptohet pa dokumente , do e kalonim kufirin në këmbë , as vetë nuk e di sesi e mora guximin, por dëshira për të qenë e lirë dhe të vendosja vetë për jetën time ishte më e madhe se frika se mos na kapte policia. Rruga shkoi mirë dhe policia nuk na kapi. Puna e parë që kam bërë ka qenë kujdestare fëmijësh në një familje greke. Dija vetëm pak greqisht, por aty mësova dhe kjo ishte sfida e parë për mua si emigrante në një vend të ri. Shkon në një vend të huaj duke mos e ditur gjuhën, por dëshira e madhe më shtyhu ta mësoja. Pasi kaloi një vit e kisha përvetësuar, punoja në një ëmbëltore gjatë dimrit dhe në verë në një ishull të quajtur Mykonos. Aty njoha edhe bashkëshortin. Në vitin 1999 erdhi në jetë vajza jonë. Kur vajza ishte 11 muajshe mora një ofertë pune në Bruksel, do të punoja në shtëpinë e ambasadorit grek që në atë periudhë punonte në Bruksel. Gjithmonë kam pasur vizion për një të ardhme më të mirë për veten edhe vajzën time. Unë nuk mund ta merrja vajzën me vete, ky ishte një nga kushtet e punëdhënësit. Vendosa pas shumë diskutimesh me burrin tim që ta çoja vajzën në Shqipëri tek njerëzit e burrit. Kam punuar një vit në Bruksel dhe pas një viti ambasadorit i duhej të punonte në Suedi. Më ofruan të punoja me ta dhe pranova. Shkuam në Suedi, pas 6 muajsh erdhi burri dhe pas tre vitesh e gjysmë arrita të merrja vajzën. Që prej atëherë punoj e jetoj në Suedi.
Cila është jeta sociale që bëni në Suedi? A jeni e kënaqur?
Kur erdha për herë të parë në Suedi ishte janar dhe ishte viti 2001. Kishte rënë shumë borë dhe jo se nuk kisha parë ndonjëherë borë, por kishte rënë më shumë seç duhej (Qesh). Unë punoja në shtëpinë e ambasadorit dhe për mua nuk ishte problem gjuha, pasi komunikoja shumë mirë greqisht me të gjithë të familjes. Më pas vendosa të bëjnë kurs për anglisht se më duhej të komunikoja me njerëzit e tjerë jashtë familjes së ambasadorit. Pastaj duke njohur njerëzit këtu fillova të kërkoja më shumë nga vetja, të mësoja suedisht. Pasi përvetësova suedishten doja një zanat dhe gjeta një mënyrë të bëja një kurs 5 mujor për manikyriste. Edhe pse suedishtja ime nuk ishte shumë e mirë, më pranuan, ato pak lekë që kisha mbledhur i investova për kursin. Pasi mbarova kursin nisa të punoja në një sallon bukurie. Pak nga pak nisa të integrohesha në këtë vend, tani akoma punoj aty prej 7 vjetësh,por në të njëjtën kohë kisha dëshirë të bëja diçka tjetër për veten time. Gjatë kohës që punova aty nisa të sfidoja veten, doja të merrja patentën, edhe pse isha plus 40 vjeç (Qesh). Unë nuk flas shumë, më pëlqen t’i ndihmoj njerëzit, t’i këshilloj, qoftë edhe t’ju jap nga eksperienca ime. Puna ime sot me gratë nuk është që unë thjesht u lyej thonjtë, por i bëj të ndihen mirë me veten e tyre. Në atë një orë i dëgjoj, u jap vëmendjen time , i këshilloj, ndajmë mendime e ide bashkë. Vura re tek vetja ime që kjo gjë më jepte kënaqësi. Në këtë moment më lindi ideja që të studioja terapi. Dhe kështu mendova se mund t’i ndihmoja gratë në mënyrën si ndiheshin, nga ana shpirtërore. Asnjëherë nuk e kisha menduar se do studioja psikologji. Tani jam në vit të dytë të shkollës, kam mësuar shumë për veten time dhe jam në proces për përmirësimin e zhvillimin të botës sime të brendshme. Kjo për mua ka shumë rëndësi, të gjej një balancë mes botës së brendshme dhe të jashtme. Kam mësuar të kërkoj më shumë prej veten. Vitin e kaluar rashë në kontakt me ‘Global Woman Club’. Fakti se kjo drejtonte nga një shqiptare më jep më shumë besim dhe kurajo për ëndrrat e mia për të ardhmen .
Çfarë është lumturia për Enerjetën?
Dikur mendoja se po të kisha gjithçka do të isha e lumtur. Por tani mendoj se nuk mund të jemi të lumtur gjithë kohës, kemi momente të lumtura, pika lumturie. Varet sesi ç’do njeri e shikon lumturinë. Dikush mund të jetë i pasur e jo i lumtur, dikush i varfër dhe mund të jetë i kënaqur. Kjo është jeta.
Cila është lidhja që mbani aktualisht me Shqipërinë, a vini shpesh?
Pasi emigrova vitet e para nuk kam shkuar se nuk kisha dokumenta, por komunikoja në telefon me familjarët. Pasi bëra dokumenta shkoja njëherë në vit. Edhe pasi mora vajzën e kisha vendosur të shkoja çdo vit, se kam familjen. Edhe pse jam shqiptare kam shumë vende që ende nuk i ka vizituar. Prindërit e mi banojnë buzë detit dhe shkoj atje. Nuk e kam harruar vendin ku kam lindur, jam krenare që jam shqiptare.
Si duket Shqipëria në optikën tuaj? Po gratë shqiptare që jetojnë në Shqipëri?
Njerëzit kanë nisur të studiojnë, të zhvillohen në një vend të lirë e demokratik. Gratë shqiptare kanë shumë për të bërë pasi si në komunizëm edhe sot në shumë fshatra është e vështirë për to të zhvillojnë veten e tyre. Ajo që është sa interesante dhe aq edhe për të ardhur keq në të shumtën e rasteve është fakti se gratë gjykohen nga gratë. Kjo nuk ndodh në Shqipëri, por në shumë vende të botës. Mbaj shoqëri me vajzat që kam mbaruar shkollën, miqtë, familjen. Më pëlqen shumë Shqipëria, sidomos edhe im bijë ka një lidhje të veçantë, një interes për vendin. Edhe pse në Suedi jetoj prej vitesh e ndihem në shtëpi, kur jam në Shqipëri më thotë vajza: Kur do ikim në shtëpi, unë i them në shtëpi jemi. Ajo thotë, në shtëpinë tonë të vërtetë, në Suedi.
Sipas mendimit tuaj cilat janë sfidat më të mëdha të grave shqiptare në Shqipëri dhe në emigrim?
Dikur nënat tona kanë sakrifikuar shumë për rritjen e fëmijëve, kujtoj edhe nënën time që rriti 13 fëmijë, lante , pastronte , gatuante etj. Pas rënies së komunizmit shumë gra ikën në emigrim për një jetë më të mirë për fëmijët. Këtë gjë e kam bërë edhe unë. Unë mendoj se gratë shqiptare janë të mençura dhe heroina. Mendoj se kanë hyrë në një proces tranizicioni për një të ardhme më të mirë.
Cilat janë sfidat më të mëdha që keni pasur në jetën tuaj dhe si ia keni dal mbanë?
Sakrifica më e madhe që unë kam bërë është që lashë vajzën time 11 muajshe në Shqipëri me prindërit e burrit. Ndonjëherë mendoj se kur marrim një vendim thjesht e marrin pa ditur ku do dalim sepse kemi një vizion në mendje. Unë e lashë me shpresën se do e merrja shpejt, por mu deshën tre vite e gjysmë ta merrja. Viti i parë i punës në Bruksel ka qenë më i vështirë, një vuajtje shpirtërore, vështirësia më e madhe ishte që nuk mund ta ndaja me njeri. Unë në Belgjikë, burri në Greqi, vajza në Shqipëri. Kam vuajtur shpirtërisht shumë fare, me vjen të qaj kur e kujtoj. Ndihesha fajtore , por me kohën e kam falur veten se kam arritur t’i ndërtoja tim bije një të ardhme siç dëshiroja: të rritet,të shkojë në shkollë, të ketë atë liri që unë në moshë të saj nuk e pata, por të paktën e di që ka një të ardhme më të mirë.
Momenti tjetër i vështirë ishte kur doja ta merrja vajzën. Atëherë kisha kundër njerëzit familjarë, por kam qenë aq e vendosur për gjerat e mia e sidomos për vajzën time. Asnjëherë nuk kam pyetur të tjerët, kjo ka qenë një ndër arsyet që e lashë Shqipërinë.
Vështirësia e tretë ishte kur e mora, nuk po krijoja dot lidhje me të . Kur shkoja në Shqipëri doja ta laja dhe ajo më thoshte : ‘’Jo ti’’. Ajo e dinte që isha mamaja e saj, por nuk më quante ende ‘’mami’’. Nuk dija si të ndërtoja marrëdhënie me të , të krijoja kontakte, çdo gjë mori kohën e vetë derisa u normalizuan.
Një sfidë tjetër si grua në emigracion është t’ja nisësh nga e para. Të sakrifikosh të punosh, të harrosh të shijosh momentin. Të shumtët e viteve i kam kaluar duke punuar, pa e jetuar jetën. Nuk është e lehtë! Gjithmonë kujtoj mamanë time, ka punuar, ka rritur gjithë ata fëmijë! I jap kurajo vetes dhe them: Duro. Njerëzit sot më shikojnë që kam arritur disa gjera e mendojnë se jeta ime ka qenë e lehtë , por jo, nuk kam qenë më fat, por kam punuar shumë, kam bërë durim etj.
Cilat janë këshillat që do u jepnit grave që duan të kenë pavarësinë e tyre dhe të ecin në rrugën e vetëzhvillimit?
Këshilla ime e parë është që të investojnë për veten e tyre: shkollohuni, lexoni, edukohuni, duhet të jeni kurioze për gjithçka. Unë jam bërë kjo që jam sot sepse kam investuar, nga kursi në shkollë sepse vetëm duke lexuar mund t’ia dalim.
Këshilla e dytë është të keni besim tek idetë dhe tek vetja. Këtë e kam kaluar edhe në eksperiencën personale, është një domosdoshmëri.
-Duajeni veten dhe respektojeni . Është vetëm një fjalë por, është një nevojë e qenësishme.
-Rrethojeni veten me njerëz që ju inspirojnë,që ju bëjnë të ndiheni mirë, që ju ndihmojë të zbuloni veten dhe dëshirat
-Fokusohuni tek e tashmja. E djeshmja iku, e ardhmja nuk e dimë kur vjen. Sidomos ne shqiptarët, edhe nga mënyra si u rritëm e mendojmë më shumë këtë, i krijojmë problemet, pa qenë probleme . Ajo që iku nuk kthehet më. Jetojeni momentin! Gëzojuni natyrës, diellit! Stokolmi ka shumë bukuri natyrore, ka lule, diell, ujë. Ndonjëherë them ku kam qenë , pse nuk i kam parë më herët. I them vetes t’i ke lindur për të jetuar në këtë qytet.