Aurela Pano
Psikoterapiste
Kur përjeton depresionin, lumturia është e padukshme, njeriu nuk gjen asnjë lloj kënaqësie në gjërat që bën, ambiciet dhe motivimi nuk ekzistojnë më, forcat të shterin, shqetësimi dhe ankthi pushtojnë trupin. Mendimet e përlotura zgjasin me orë, ditë dhe muaj të tërë. Njeriut i mungon vetëbesimi dhe ndihet i padëshiruar, pushtohesh nga ndjenja të pashpresa, mpirja boshllëku dhe pajetësia. Dhe çuditërisht të gjitha këto ndjenja të bëjnë të zemëruar dhe te irrituar. Te duket sikur je në një guaskë në të cilën nuk futet dot as drita e diellit.
Depresioni është një sëmundje e cila prek mendimet, humorin dhe gjendjen fizike të njeriut, është shumë më tepër se një mërzitje e zakonshme për çështje të pazgjidhura dhe probleme te jetës. Depresioni është dëshpërim i thellë, një kusht mjekësor i cili kërkon diagnostikimin dhe ndërhyrjen e menjëhershme mjekësore për të parandaluar pasojat e tjera. Si sëmundje e shëndetit mendor prek mënyrën se si një njeri funksionon në marrëdhëniet e punës dhe në marrëdhëniet e tjra shoqërore. Shpesh, njerëzit të cilët vuajnë nga depresioni ndihen të turpëruar dhe e konceptojnë sëmundjen e tyre si një dobësi të madhe të karakterit. Besimet e tyre të shtrembëruara që ata janë ndryshe nga të tjerët e rëndojnë edhe me keq sëmundjen. Sigurisht që është e vështirë të fitosh shpejt luftën ndaj depresionit megjithatë depresioni është po aq i trajtueshëm sa shumica e sëmundjeve të tjera cilido të jetë shkaku i tij. Depresioni si një pjesë e problemeve të njeriut e ka luftuar njerëzimin për mijëra vjet. Njerëzit në shekuj janë munduar te gjejnë kurën për depresionin, që në kohën e Hipokratit i cili ishte i pari që njohu lidhjen ndërmjet mjedisit, trupit dhe emocioneve. Ai e shikonte trurin si një vend ku uleshin mendimet dhe emocionet. Të tjerë kanë rekomanduar ushtrimet edhe dietën për të luftuar depresionin në kohët e hershme. Sot mendimet për patologjinë e depresionit janë të ndryshme, disa e shohin depresionin si pasion ndaj pesimizmit, por ka edhe të tjerë të cilët e konsiderojnë depresionin si reaksion ndaj ngjarjeve të jetës dhe jo si sëmundje mjekësore dhe kjo vërtetohet nga studimet psikobiologjike të cilat kanë treguar që mendimet dhe ndjenjat afektojnë fiziologjinë e njeriut dhe detyrimisht neurtransmetuesët.
Zakonisht fillon pas një stresi të madh
Depresioni është një fazë normale për jetën e miliona njerëzve. Dëshpërimi, mërzia dhe ndjesia e depresionit janë te gjitha pjesë te jetës njerëzore. Çdokush në jetë ka përjetuar pak depresion deri në një shkallë të caktuar. Depresioni fillon me melankolinë dhe vazhdon me mendimet negative. Zakonisht fillon pas një stresi të madh, dhe zakonisht stresi është një nga faktorët kryesorë në çrregullimin e balancës së neurotransmetuesve e cila udhëheq drejt depresionit. Neurotransmetueset janë ura kimike qe gjenden në pjesën e sinapsit të qelizave nervore, atje ku bashkohen dy qeliza nervore. Serotonina, acetilkolina, GABA, dhe dopamina janë kater neurotransmetueset te cilat janë përgjegjës për transmetimin e informacionit në lidhjet sinaptike. Deficienca e neurotransmetuesve është përgjegjëse për depresionin. Dopamina si një neurotransmetues përgjegjës për motivimin, arritjet e larta, veprimet energjike koncentrohet në lobin frontal atje ku ndodhin proceset e larta mendore si arsyetimi. Po aq të rëndësishme janë edhe neurotransmetuesët e tjerë si serotonina e cila sjell humorin pozitiv, GABA dhe acetilkolina te cilat kane receptorët e tyre në qelizat nervore dhe ndihmojnë në transmetimin e informacionit. Tek njerëzit të cilët vuajnë me depresion ndodhin shumë ndryshime ne sistemin limbik i cili është i përgjegjshëm për rregullimin e emocioneve. Ky sistem është i vendosur në brendësi të trurit nën cerebrum i cili është përgjegjës për mendimin. Sistemi limbik gjithashtu kontrollon edhe funksionet e tjera si temperaturën e njeriut, oreksin, nivelin hormonal, gjumin tensionin e gjakut dhe sjelljen. Sistemi limbik është i lidhur me një strukturë tjetër e cila quhet hipotalamus dhe ndikon në rregullimin e hormoneve në organizëm dhe dëshirën seksuale. Këto struktura janë mjaft te rëndësishme në rregullimin e ndjenjave. Kur ka deficite tek neurotransmetuesit stimulimi elektrik udhëton në gjatësinë e qelizës nervore dhe por mungesa e neurotrasmetuesve e bën të vështirë kalimin e impulsit nga qeliza ne qelizë. Qelizat nervore nuk janë vërtet të lidhura me njëra tjetrën por ato lidhen nëpërmjet neurotransmetuesve. Këto deficite e bëjnë mjaft te vështirë kalimin e impulsive elektrike nga qeliza limbike tek qelizat e sistemit nervor qendror dhe lobi frontal i cili bën analizën e thellë te informacionit dhe arsyetimin. Kjo sjell shfaqjen e mendimeve irracionale, mjegullimin e arsyes, konfuzionin dhe shenja the tjera te depresionit.
Të luftosh mendimet negative
Të gjithë njerëzit vuajnë humbjet dhe kalojnë situatë jo të këndshme në jetë por jo çdo kush përjeton depresionin, ka shumë mundësi që përveç ngjarjeve stresante njerëzit ta shohin jetën me syze të errëta. Ankthi, vetmia perfeksionizmi mundet po ashtu të nxisin depresionin. Depresioni i nxitur nga ngjarje të jetës dhe streset quhet depresion situacional. Ka raste kur ndonëse çdo gjë ecën për bukuri, jeta të jep shumë momente të lumtura dhe arritje, dashuria nuk të mungon por ngrihesh një ditë dhe e vetmja gjë ndryshe është humori. Ky quhet depresion endogjen dhe nuk ka të bëjë me ngjarjet e jetës por me çrregullimet biokimike. Njeriu pushtohet nga dhimbje trupore, mendime të errëta, pagjumësi të vazhdueshme, humbje e vëmendjes. Sido që të jetë depresioni prek cilësinë e mendimeve, marrëdhëniet e njerëzve, karrierën dhe eksperiencën normale të jetës. Kujtimet pozitive kanë humbur diku, ose duken të largëta dhe shpesh herë njerëzit mendojnë që vuajnë nga sëmundje të rënda dhe i nënshtrohen ndërhyrjeve, analizave dhe vizitave te pafundme pa dashur të besojnë që përgjigja e thjeshtë është që kjo gjendje ka të bëjë me depresionin dhe pranimi i këtij fakti është po aq i rëndësishëm sa edhe lufta ndaj tij. Nuk është për t’u dekurajuar sepse ka shumë shembuj pozitive dhe njerëzit janë të ndryshëm perceptimet nuk janë të njëjta dhe depresionet nuk janë të njëjta. Të luftosh mendimet negative afekton po ashtu edhe ndryshimet biologjike duke përmirësuar sasinë e neurotransmetuesve!