Adelina Badivuku

Çdo fund viti duket se është bërë traditë që shqiptarët e mrekullueshëm të Kosovës të cilët jetojnë në Londër organizojnë evente bamirësie për të ndihmuar familjet e varfra në vendilindjen e tyre. Nuk është një organizatë joqeveritare dhe as lobim qeveritar, por thjesht një grup njerëzish me zemër të madhe që pas luftës në Kosove kanë sfiduar çdo vështirësi në një vend të huaj, dhe kanë ndërtuar jetën e tyre nga fillimi. Një iniciativë për t’u admiruar dhe që i shton më tepër vlerat e tyre humane, ka qenë edhe bamirësia që u organizua pak ditë më parë në Queens Arms, në Londër. Një shembull për t’u ndjekur dhe model për t’u përgëzuar nga të gjithë shqiparët kudo në botë. Një akt dashurie njerëzore që të na bëjë të gjithëve të reflektojmë dhe kontribuojmë më shumë në 2016.

Kemi intervistuar organizatoren e kësaj nisme Adelina Badivuku e cila është tashmë një nga figurat më të njohura shqiptare në fushën e bamirësisë në Londër.

Nga Mirela Sula

 

ad5
Adelina gjate organizimit te eventit ne Queens Arms – Londer, 26 Dhjetor 2015

Prej vitesh je angazhuar në aktivitete bamirësie – si ka lindur kjo ide?

Kam qene gjithmonë aktive në evente bamirësie që nga vitet e luftës në Kosovë. Pas çlirimit atëherë kur e kuptova që varfërinë s’e mundim dot fillova të fokusohem në aktivitete që vetëm mund ta lehtesojnë atë. Djali im Arti në moshen 17 vjeçe u angazhua në një organizate humanitare dhe para udhëtimit për në Afriken e Jugut vendosi të mbledhë fonde për familjet e varfra në Mitrovicë. Ne në shtëpinë tonë në Londër organizuam nje mbledhje me miq e familjarë dhe mbledhëm një shume simbolike për ato familje që kishin nevojë për ushqime dhe gjëra elementare. Me ndihmën e shoqatës Mitrovica shuma e mbledhur nga qethja e flokëve të Artit ju siguruam këtyre familjeve ushqime. Sigurisht që ky event më motivoi që të vazhdoj me tutje dhe të gjej mënyra të ndihmoj ata që kanë më së shumti nevojë per ne.

 

ad3

Para disa ditësh keni realizuar një tjetër iniciativë të sukseseshme duke mbledhur 9000 euro per 30 familje të varfra në Kosove. Mund të na flasësh pak më shumë për këtë?

Disa javë më parë, deri sa po pregaditesha për punë në mengjes po degjoja emisionin Radar në Radio Dukagjini. Radioja shqip është lidhja ime me Kosovën dhe çdo mëngjes zgjohem me Radar ose Metropol-in në Radio Kosovë. Dëgjova dikë me emrin Gezim Mazreku i cili ofroi fruta e perime për familjet që s’mund t’I përballojnë dot çmimet. Për një kohë të shkurtër dëgjova edhe dëgjues të tjerë që telefononin me oferta nga më të ndryshmet, duke filluar nga buka, mielli e deri te rroba dimri për këto familje. Prezentuesja e emisionit Edita Doli-Muhaxhiri ndihej e emocionuare nga thirrjet që s’kishin të ndalur dhe atëherë më Lindi ideja që të telefonoj edhe unë. Fillimisht ofrova të marr përsipër ushqimet elementare për një familje. Më pas, duke dëgjuar të tjerët u motivova që të thërras përseri dhe të ofroj më shumë ndihmë për më shumë se një familje, gjithmonë duke u bazuar në mbështetje nga familjarët dhe miqtë e mi. Mora guximin të ftoj ekipin e Radarit që të vijnë në Londër dhe të realizojmë një mbrëmje për familjet që më së shumti kanë nevojë për ndihmë. Degjuesit e Radarit dhe ekipi realizues i këtij emisioni të mëngjesit në Radio Dukagjin u angazhuan të identifikojnë familjet më të varfra dhe ata që më së shumti kanë nevojë për lehtësim në këto ditë dimri të vështirë në Kosovë. Me ndihmën e Ambasadorit të Kosovës në Britani, Lirim Grajcevcit dhe menaxherit të Queens Arms vizita e ekipit u bë realitet, ndërsa me ndihmën e një grupi të njerëzve të jashtezakonshëm edhe mbledhja e fondeve u realizua. Ne me dt 26 Dhjetor në Queens Arms i mblodhëm 9000 Euro që do të ndahen paralelisht midis 30 familjeve, si dhe sponsor që do t’i ndihmojnë këto familje për 6 muajt e ardhshëm.

 

ad4

Ndërkohë arritët të siguroni edhe 50 euro në muaj për 6 muajt e ardhshëm për këto familje – si e arritët këtë?

Më duket të jetë më lehtë të sigurohen fonde dhe të ketë intervenime që vetëm lehtësojne krizën. Une kam kaluar më shume se gjysmën e jetës në Londër dhe nga ky popull e kam parë dhe kuptuar humanizmin real. U bazova në akcionet e natyrës “sponsor a child” dhe mbështjen që e kanë në Britani, nga aty më lindi ideja fillimisht të jap unë vetë 50 euro në muaj që të lehtësoj jetën për një familje. Kjo shumë edhe pse mjaft simbolike është vetëm pak më shumë se një £1 në ditë dhe diçka që shumica nga ne mund ta ofrojmë. I ftova të tjerët të bashkohen dhe ata pranuan. Është kënaqësi e jashtëzakonshme kur mendoj që me një mbëmje ku gjithë ata njërëz u mblodhën per të dëgjuar muzikë të jashëzakonshme e të kënaqen bashkë rezultoi në të ardhura për të siguaruar ushqim për 30 familje për 6 muaj e ndoshta edhe më gjatë. Ata qe u lajmëruan të ndihmojnë këto familje tani do të jenë në kontakt direkt me to dhe do t’u dërgojnë atyre ndihmat mujore direkt. Detyra jonë ishte vetëm t’i njohim ata me njëri tjetrin, dhe suksesi ishte superior.

 

aa

 

Si ishte atmosfera mes shqiptarëve gjatë mobilizimit për të bërë këtë bamirësi?

Festat e fundvitit e bënë të shtunën mbrema shumë speciale. Atmosfera në Queens Arms ishte e ngrohtë dhe humanizmi e dëshira e shqiptarëve për të ndihmuar ata që kanë më së shumti nevojë ishte e jashtëzakonshme. Andaj e dua shumë popullin tim, ne jemi gjithëmonë të gatshëm të ndihmojmë njëri tjetrin, gjithëmonë. Te shtunën mbrëma kur mbërriva në Queens Arms, ma dorëzuan nje pliko me donacion; shuma e parë qe u fut në boks ishte £300 nga Altini, kishte vetëm emrin në te. Nuk e kuptova as mbiemrin dhe nuk e takova Altinin. Ai kishte dhënë kontributin e tij, pa dashtë të identifikohej, pa dashtë lavdi. Të falemnderit Altin, kontributi yt ka vlerë të madhe për gjithë ato familje e fëmijë të uritur. Po përdor Altinin si shembull për gjithë ata që deshtën dhe erdhën të kontribojnë për ta lehtësuar urinë e dhimbjen për 30 familje në nevojë. Dua gjithëashtu ta shfrytëzoj rastin ta pëermend edhe Adonis Sahatciun nje djalë 9 vjeç që kishte kaluar ditën duke mbledhur fonde dhe i dorëzoi £70 atë natë si dhe Majlinda Mustafën që bëri 30000 hapa për të mbledhur fonde në shënjëe përkrahjeje. Këto janë vetëm disa shembuj nga profilet e atyre që e bënë të shtunën mbëma të sukseshme dhe dua t’i falemderoj nga zemra.

 

ad6

Cili është mesazhi yt i vitit të ri për të gjithë shqiptarët kudo që janë?

Dhuroni më shumë dashuri; jeta është më e bukur kur ndan atë që ke me të tjerët. Vëtëm bashkë mundemi t’i ndihmojmë ata që kanë nevojë, ata që janë ngopur me premtime të kota dhe i kanë sytë te Zoti e tek ne, njerëz që kemi fatin të jemi më të privilegjuar se ata. Dua gjithëashtu të falemderoj nga zemra të gjithë ata që mbështesin iniciativat e mia humanitare gjithmonë me pjesëmarrje e kontribute si dhe Bujar Mustafen e Bekim Sahatciun nga Queens Arms, grupin e vullnetarëve; Nexhin, Alijen, Valbonen, Bashkimin, Norën, Burhanin, Hazbijen, Valbonën, Besimin, Fatonin e Mufailin që punuan me Zemer.

Një falemnderim i veçantë edhe per stafin e Queens Arms, si dhe atë që na e zbukuruan natën me muzikë BB Poqi, banda e Queens Arms me Albertin, Beratin e Gagën, Gëzim Shkreli, Faton Bakolli, Shqipe e Haxhiu e Loni Gashi. Gëzuar 2016, me shpresë qe të vazhdojmë të jemi human e të dashur për njëri tjetrin gjithmonë.

ad7

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *