Shumëkush mund të pyesë përse zgjodha time motër si personazh kopertine për të ndarë historinë e saj me një audiencë kaq globale. Përgjigja është fare e thjeshtë sepse historia e saj është aq e fuqishme sa mund të frymëzoje gra nga gjithë bota. 

Nga Mirela Sula

 

BOTUAR NE REVISTEN GLOBAL WOMAN – ANGLI

 

linda-3
Foto: Endrit Mertiri

 

Kur Lindi Linda

Linda in Albanian means “I was born” – ketu nis edhe historia e motrës time Linda. Kur erdhi në këtë botë isha vetëm 9 vjeçe dhe çuditërisht nuk mbaj mend në asnjë moment të fëmijërisë time të jem bërë xheloze që dikush tjetër do vinte të ma zinte vendin (siç rëndom thuhet në literaturë). Sepse nuk fakt para se të takoja Lindën unë nuk është se e dija vendin tim, dhe as nuk pretendoja të kisha një vend. Nëntë vitet e para të jetës time pa Lindën kanë qenë një përplasje e pakuptueshme nga njëri vend në tjetrin, nga njëra shkollë në tjetrën, nga njëri prind tek tjetri dhe nga familja në familje.

Linda në fakt erdhi në jetën time tamam në kohën e duhur, atëkohë unë isha Hirushja e familjes, dhe në fakt pritej se princesha do t’u sillte më shumë stuhi ditëve të mia, por befasisht ndodhi plotësiht e kundërta. E mbaj mend shumë mirë, 2 Shtatori i vitit 1983 ishte dita e parë e shkollës për mua sepse ishte e hënë, dhe unë nuk arrita të shkoja. Kur më thanë se Linda ka Lindur më kujtohet që kam qëndruar me orë të tëra poshtë dritares së spitalit me shpresën që ta shihja para se të ikja në mësim.

 

linda-old
Linda ne moshen 10 vjecare me mamane tone Mine dhe babain e saj Gjergj

Linda ishte bukuria vetë, fytyra e saj si një ëngjëll e mbuluar me kacurrela të verdha bënte për vete çdo kënd që e shihte, dhe çdo kush donte ta merrte në krahë. Nëna jonë ishte infermirere, grua në karrierë dhe në mision për të shpëtuar jetë njerëzish në një spital të vogël në veri të Shqipërisë. Ndërsa babai i saj (njerku im) ishte officer dhe pjesën më të madhe të kohës e kalonte me shërbime ushtarake. Kështu që Linda do të bëhej fëmija im i parë, pasi në të vërtetë më duhej të kujdesha çdo ditë për të, ta mbaja, ta ushqeja, ta laja, ndërroja dhe ta vija në gjumë.

Ishte një mrekulli të mësoje se çfarë është dashuria duke rritur një pafajësi si Linda.

Kjo ishte pjesa e bukur e dashurisë – por kur Linda sëmurej apo i ndodhte diçka, për mua fillonte dënimi dhe pasojat. Një frikë dhe ankth që më ka ndjekur ndër vite, edhe pasi fitova “lirinë dhe të drejtat e mia”, sepse këto lloj makthesh rrinë gjatë në pavetëdije edhe pasi ti je munduar t’i fshish nga kujtesa. Do të thoni ju si e fitova lirinë? Në fakt në një familje dhe ambient ku dominonte diktatura, të keqtrajtosh një fëmijë/femër ishtë gjëja më normale, por deri sa Linda u rrit kjo historia ime nuk ishte aspak më ndryshe se sa ajo e Hirushes.

 

linda f
Linda me dy vajzat e saj And & Mishela dhe bashkeshortin, Mikelin

Motra e Hirushes

Të gjitha gjasat ishin që historia ime të ishte si ajo e Hirushes, dhe mund të kishte ndodhur ashtu nëse motra ime do të kishte qenë një fëmijë i zakonshëm. Në fakt ardhja e saj ndryshoi komplet energjinë e familjes dhe botës së vogël ku jetonim, sidomos për mua dhe tim vëlla Benin i cili ka një histori më vete (dhe një ditë do të vijë koha edhe për atë). Prania e saj kishte një magji të jashtëzakonshme dhe kur i ati guxonte të ngrinte zërin ndaj meje apo të përdorte teknikat e tij të dënimit do të duhej të përballej me ulërimat e bijës së tij në fillim “Mos guxo ta prekësh motrën time”. Për të, e bija ishte perëndia.

Ai ishte gjeneral me grada, por para saj ishte një ushtar i dorëzuar.

Fjala e Lindës ishte ligj në shtëpi, dhe kur ajo mësoi të flasë, unë nga Hirushe u ktheva në një vajzë plot ëndrra dhe besim se bota nuk ishte aq e keqe sa dukej, dhe njerëzit nuk mund të jenë aq të rrezikshëm sa ç’dëgjonim. Linda më ktheu besimin se jeta mund të marrë kuptim sepse dashuria njerëzore ekzistonte dhe ishte aty, pranë meje.

 

linda (1)
Foto: Blerta Kambo

Te dyja kemi ikur 14 vjeçe nga shtëpia!

Unë isha vetëm 14 vjeçe kur bëra gati valixhen dhe u largova për të ndjekur studimet e shkollës e mesme, pasi në fshatin tonë kishte vetëm shkollë tetë-vjeçare. Isha aq e lumtur që po ikja nga ajo humnerë e largët dhe po dilja për të parë përtej atyre luginave një botë tjetër, në një qytet të vogël në veri. I vetmi trishtim që më ndoqi pas ishte ndarja me Lindën, isha mësuar çdo ditë t’ia përkëdhelja kacurrelat e verdha.

 

Edhe Linda ishte vetëm 14 vjeçe kur bëri gati valixhen për të ikur nga shtëpia me të dashurin Mikelin, që sot është bashkëshorti i saj. Këtu nis një etapë tjetër në jetën e Lindës. E zemëruar me prindërit dhe çdo gjë që e rrethonte, ajo i përgjigjet jetës duke marrë vendime që do të linin gjurmë përgjithmonë në rrugën e saj. Ishte e vendosur “Nuk kthehem më kurrë atje” më tha një ditë kur e alarmuar e mora në telefon. “Unë do ta jetoj jetën time siç dua unë, dhe jo siç duan ata” – më tha e prerë dhe e mbylli telefonin, pa më treguar se ku ishte. E kishte fjalën për nënën time dhe babain e saj. Asnjehërë nuk e kishte pranuar stilin e tyre kontrollues dhe kritikues si prindër. Linda ishte një shpirt rebel që nuk mund ta kontrolloje dot. Dhe e vetmja mënyrë që mund të dëgjonte ishte kur i flisje me dashuri. Por në atë kohë, siç e kam shpjeguar gjatë edhe në librin “Mos e lër dashurinë të ikë” prindërit shqiptarë nuk ishin të përgatitur në testet e dashurisë që duhej të kalonin për fëmijët e tyre. Përkundrazi, ata e quanin diçka rreptësisht të ndaluar të tregonin  momente dobësie duke manifestuar dashuri ndaj fëmijëve. Unë e mbaj mend mirë, i ati i Lindës ishte i çmendur pas saj.

Një gjeneral që kurrë nuk mund ta shihje të qeshje, e shihje duke qarë e bërë si i marrë pas hapave të saj capkëne.

Por siç ndodh në modelin shqiptar, kur vajzat e vogla rriten ndryshon stili i prindërimit. Me sa duket Linda nuk ishte nga ato që mund t’i nënshtrohej këtij modeli dhe vendosi të arratisej me djalin e parë që i propozoi, me ëndrrën prej fëmije se do të ishte e lirë përgjithmonë dhe do të jetonte e rrethuar me dashurinë që meritonte. 

 

liiii

A jetuan përgjithmonë të lumtur?

Por ëndrra për lirinë dhe dashurinë e madhe zgjati shumë pak. Në një kohë kur shumë vajza shqiptare po shiteshin rrugëve të botës ne humbëm komplet kontaktin me Lindën për muaj të tërë, dhe morëm vesh se ajo kishte shkuar në Belgjikë. Na ra qielli në tokë, dhe ankthe nga më të ndryshmet na pushtuan: ishte vetëm 15 vjeçe, po sikur ta kishin mashtruar, po sikur të ketë përfunduar në…. Nuk na e zinte goja. Kush e kishte fajin? Linda u bë e gjallë shumë shpejt, dhe me qetësinë më të madhe na thotë “Jemi bashkë me Mikelin, kemi filluar jetën tonë këtu dhe jemi shumë mirë”. Motra ime kishte filluar jetën e saj 15 vjeçe…. duke lënë shkollën në mes. Cfarë historie! Në fakt aty fillonte një kapitull tjetër për të, sepse pas tre vitesh do të kthehej në Shqipëri për t’ia nisur prapë nga e para. Cfarë do të bëj me jetën time më tha? Në ato tre vjet pashë sa shumë ishte rritur.

 

linda-mik

 

Një vajzë e re, dikur plot ëndrra për të ndjekur pasionet e saj dhe për të arritur shumë gjëra në jetë, sapo ka mbushur të njëzetat, nënë e dy fëmijëve, pa shkollë, pa punë, pa shtëpi, pa mbështetjen e familjes…

Por ajo çfarë e rriti më shumë para kohe Lindën ishte të bërit nënë në një moshë shumë të re. Nuk i kishte mbushur akoma 19 vjeçe kur solli në jetë vajzën e saj të parë Elvanën. Në përgjigje të intuitës vendosi ta thërriste me emrin e vajzës që unë kisha humbur. Dy vjet më vonë bëhet nënë për herë të dytë, ishte Mishela që e gjeti Lindën që sapo i kishte mbushur 20 vjeçe. Dhe ja ku jemi, një vajzë e re, dikur plot ëndrra për të ndjekur pasionet e saj dhe për të arritur shumë gjëra në jetë, sapo ka mbushur të njëzetat është nënë e dy fëmijëve, pa shkollë, pa punë, pa shtëpi, pa mbështetjen e familjes (sepse nëna jonë mendonte se kjo ishte jeta që i takonte (pasi vetë e kishte dashur) një stil që e gjen shpesh tek prindërit shqiptarë). Dhe ja ku i bie që historia të mbarojë këtu – A do të ishte… “Dhe jetuan përgjithmonë të lumtur”? Nuk kishte asnjë shenjë të tillë.

Humbja e ëndrrave dhe dëshirës për të jetuar!

Dua të bëj diçka me jetën time më tha një ditë – teksa tymoste cigaren në ballkonin e shtëpisë time – nuk më ka kuptim më asgjë! Por ti ke dy vajza të mrekullueshmë që po rriten – ia kthej, por thellë meje e dija se kjo nuk ishte jeta që i takonte sime motre. Dikur plot energji dhe vitalitet tani i vriste ditët duke pirë cigare dhe kujdesur për dy vajza të vogla. Po çfarë do t’u them unë atyre kur të rriten? Cfarë kam bërë unë në jetë? – Po ti prapë mund të bësh, je shumë e re. – Po si? Ajo më pyeste shpesh, “Po si” por askush nuk po ia jepte përgjigjen. As is shoqi, Mikeli që ashtu si çdo burrë tjetër shqiptar përpiqej ta mbante në zonën e tij të kontrollit gruan e tij të bukur. Por Linda filloi të na përgjigjej në mënyrën e saj…

Kacurrelat e saj i qethi. Fytyra e saj e bukur filloi të transformohej nga konsumimi i dy – tre paketave duhan në ditë. Trupi i saj firoi nga humbja e oreksit.

Pasi provoi të na kërkonte ndihmë dhe nuk po e gjente atë, vendosi të izolonte veten në një gjendje depressive dhe mungesë dëshirë për të jetuar. Kacurrelat e saj i qethi. Fytyra e saj e bukur filloi të transformohej nga konsumimi i dy – tre paketave duhan në ditë. Trupi i saj firoi nga humbja e oreksit. Ky ishte alarm për mua! Ajo kishte vendosur ta vriste veten çdo ditë nga pak sepse askush nuk po i përgjigjej thirrjes së saj për ndihmë. E izoluar një një shtëpi modeste në fshat, në atë kohë pa mjete komunikimi, pamundësi për të dalë, dhe me dy vajza të vogla që kërkonin shumë impenjim. Ku do ta gjente forcën për të ndryshuar jetën e saj? 

Kthimi te vetja!

Nuk më duheshin shenja më të forta për të kuptuar që, nëse nuk merrnim masa për të ndryshuar jetën e saj mund ta humbja motrën time. Ishte e pafalshme për mua, unë që dilja e flisja çdo ditë se si ta ndihmojmë veten dhe të tjerët nuk po bëja asgjë për time motër. Ajo më kishte mbrojtur me dashurinë e saj kur ishim të vogla, tani ishte radha ime për ta nxjerrë nga gjendja ku ishte. Ia njihja mirë pikat e forta dhe dobësitë, ia njhhja ëndrrat dhe limitet, ia njihja kapacitet për t’i kapërcyer të gjitha këto vështirësi gjithashtu, dhe gjithë cfarë duhej të bëja ishte “T’ia përcillja këto mesazhe dhe ta bëja të besonte se sa burime kishte brenda vetes”. Isha e vetëdijshme që nuk kishte për të qenë e lehtë, këto janë procese që kërkojnë durim, këmbëngulje, besim dhe mos të ndalesh deri sa të arrish.

 

Linda ishte e jashtëzakonshme për të elaboruar çdo lloj informacioni, dijeje dhe mesazhi në mënyrë të shkëkqyer. Çdo gjë që mësonte fillonte ta aplikonte menjëherë, me hapa të ngadaltë por që ndonjëherë të mahiniste me saktësinë dhe kreativitetin që kishte. Dakord, më tha një ditë pas shumë ideve dhe planeve që diskutuam sëbashku. Do t’i kthehem shkollës, do t’i dërgoj vajzat në kopësht, por do më duhet të gjej një punë që t’ia dal. Shkëlqyer, i thashë. Ti mund t’i bësh të gjitha, edhe të shkosh në universitet, edhe të punosh edhe të merresh me vajzat. Ti je kaq e re dhe ke kaq shumë energji.

E bukura ishte që Linda gjithmonë më ka besuar verbërisht, çdo gjë që unë i thoja ajo e merrte të mirëqenë, kurrë nuk ka dyshuar në ato që i thoja. Ndaj kur fillova t’i tregoj se sa e mrekullueshme ishte, sa të jashtëzakonshme ishin burimet dhe energjitë e saj, sa e bukur dhe e magjishme ishte prania e saj, sa e talentuar dhe e zonja që ishte – lavdi Zotit, prapë më besoi. Nuk mund të ketë motër më besnike se ajo në botë. Dhe kurrë më shumë nuk kam pasur nevojë për besimin e saj se sa ato çaste kur po i tregoja se sa me fat isha që kisha një motër si atë, dhe se sa brilante po vinte e ardhmja që kishte përpara. E çoj në mend sa herë imazhin e saj, me duart që i dridheshin teksa mbante cigaren kur më dëgjonte t’i flisja për sukseset që e prisnin dhe kapacitetet që shihja tek ajo. Vetëm dëgjonte në heshtje, në mendime të thella, nuk më thoshte asgjë, por e dija që mendja e saj, ende e njomë prej fëmije po mundohej të gjente vend që ta asimilonte këtë infiormacion që po merrte dhe ta bënte pjese të natyrshme të vetes.

Nuk mund të kishte dhuratë më të bukur se sa të shihje sërish flokët e saj teksa rriteshin dhe shkëlqenin … Buzeqeshja e saj po kthejej serish…

Dhe kështu ndodhi derisa një ditë më tha me një konfidencë që m’i bëri sytë të shkëlqejnë: E di motër, çdo gjë që ti thua për mua bëhet si me magji, dhe unë i besoj fjalëve të tua, kanë një forcë vibruese të magjishme. Nuk mund të kishte dhuratë më të bukur se sa të shihje sërish flokët e saj teksa rriteshin dhe shkëlqenin, ecja e saj të drejtohej, komunikimi t’i bëhej aq i sigurtë me të tjerët. Shihja tek ajo çdo ditë një vepër arti që po përsosej.

 

 

Kurrë nuk kam parë njeri të ketë një talent të tillë si Linda për të bërë miq. Dhe ky ishte vetëm fillimi i kthimit tek vetja!

Brenda tre vitesh Linda tejkaloi çdo lloj pritshmërie që mund të kishim. Mbaroi universitetin me rezultate të shkëlqyera, u rrit profesionalisht me hapa gjigande dhe duke pranuar të punonte për kompanine time (atëkohë Psikostil) e rriti departamentin e marketingut që ajo drejtonte me 100%. Ishte e pamundur që klientët t’i rezistonin bukurisë së saj, inteligjencës që përconte sapo hapte gojën, konfidencës që e bëri pjesë të pandashme të vetes, sharmit të magjishëm që ishte “Made in Linda” dhe mbi të gjitha aftësive sociale që ajo po zhvillonte… Kurrë nuk kam parë njeri të ketë një talent të tillë si Linda për të bërë miq. Dhe ky ishte vetëm fillimi i kthimit tek vetja!

Ndarja me Lindën përsëri!

Gjithmonë i kam besuar shprehjes “Çdo gjë ndodh për një arsye”, dhe gradualisht po vinte momenti që rrugët tona do të ndaheshin sërish. Sapo isha kthyer nga një udhëtim në Londër dhe na ishtë bërë zakon që çdo fillim-dite mblidheshim me stafin për kafen e mëngjesit. Si kalove në Londër më pyetën? Kam dy lajme, një të mirë dhe një të keq – u thashë, cilin të them më përpara? Fillo me të mirin, më tha Linda duke qeshur. – Ok lajmi i mirë është se kam vendosur të iki nga Shqipëria dhe mendoj se shumë shpejt do të jetoj në Londër. Të gjithëve iu ngrinë duart me filxhana në dorë dhe shfaqën një entuziazëm duke thirurr “Uaaa, kjo është fantastike, po çfarë ndodhi”. Të gjithë qeshën, ndërsa Lindës iu mbushën sytë me lot, la kafen në mes, mori cigaren dhe doli përjashta duke qarë. Njëra nga mikeshat tona që ishte aty filloi duke qeshur me të madhe “Kaq budallaqe je ti, iu kthye Lindës, po Mirela nuk do ikë nesër moj. Sa njerëz thonë që do ikin dhe uhuuu do kohë kjo gjë, sepse nuk po ikën në Durrës. E di çfarë do të thotë të ikësh në Londër, pse kaq kollaj qenka”. Linda nënqeshi – Ti nuk e njeh mirë motrën time e dashur, vetëm unë e njoh atë… Nëse ajo thotë sot dicka, nesër është e bërë. Dhe e keqja është se unë e besoj çdo gjë që ajo thotë, dhe kam frikë se edhe këtë herë e ka seriozisht.

 

Kishte ardhur momenti të ndaheshim, kishte ardhur koha që Linda të krijonte shtegun e saj unik, ajo nuk kishte më nevojë për mua, por koha do ta tregonte se në distancë ne vazhdimisht do të kishim nevojë për njëra tjetrën.

Rilindja e Starit

Sot nëse doni të takoni dikë që t’ju mësoje se çfarë është suksesi, çfarë do të thotë të shijosh jetën me të gjitha, si të jesh një nënë e përkryer, si të duash veten, si të fitosh para, dhe si të jesh e rrethuar vazhdimisht me miq të mire, do ta thoja me siguri që njoh një grua që i plotëson të gjitha këto kritere, është një super star ëoman dhe ajo është motra ime.

Pasi unë u largova, Linda filloi punë si agjente marketingu tek një Revistë tjetër, dhe nga dita në ditë më mbante në kontakt duke më thënë se sa me passion e kishte marrë këtë punë, pasi po zbulonte çdo ditë se sa e aftë ishte në këtë fushë. Pas disa muajsh me merr në telefon gjithë entuziazëm për të më treguar se të ardhurat që ajo po i sillte kompanisë i kishin dhënë një mundësi për t’u rritur në karrierë – pronarja i kishte propozuar të bëhej drejtoreshë marketingu dhe kjo po konfirmonte edhe njëherë kapacitetin e saj për t’u rritur profesionalisht. Pas një viti Linda po ecte me hapa gjigante, asaj i propozuan të bëhej drejtoreshe e përgjithshme e gjithë kompanisë. A jam në gjendje ta bëj, më pyeti si nënzë. E dallova dëshirën e saj të zjarrtë për të ecur përpara, dhe isha e sigurt që edhe kësaj here do të më besonte kur i thashë “Po, mund ta bësh, dhe shumë shpejt mund të bësh shumë më tepër”.

 

Pas një viti Linda mësoi se si drejtohej një biznes, se si menaxhohej puna me dhjetëra njerëz, se si fitoheshin dhe mbaheshin klientët, se si bëhej një plan biznesi, se si investohej në marrëdhëniet njerëzore dhe se si ta bësh një biznes fitimprurës. Pas kësaj e mora guximin dhe i thashë “Tani mendoj se ka ardhur koha të fillosh një investim tek vetja” – E ndjeva se si u dridh kur e dëgjoi këtë – A mendon se jam gati, më tha? – Unë mendoj se ke qenë gati me kohë por thjesht nuk kemi folur për këtë gjë – i thashë. Mrekullia vetë, më besoi sërish, që e kisha seriozisht.

Sot pas një viti, ime motër, Linda ka revistën më të sukseshshme në vend, një kompani që quhet STAR. Star është një hapësirë që një star si Linda e ka krijuar për t’u kthyer besimin njerëzve, që ne të gjithë jemi “stars”, se rrezet dhe shkëlqimi janë brenda nesh. Dhe nëse ne besojmë se jemi “stars” atëherë jemi, dhe kushdo që troket në revisten e saj STAR është i/e sigurt që i takon të ndihet e tillë sepse në të gjithë jemi unikë. Gjithë çfarë na duhet është ta besojmë atë njeriun që është sjellë të vijë në jetën tonë për të na treguar se “TI JE NJË STAR”!

Linda sapo i ka mbushur 30 vjece, nënë e dy vajzave (13 dhe 10), në kulmin e bukurisë dhe karrierës së saj. Në kulmin e ëndrrave dhe besimit për të ardhmen. Më konfidente se kurrë ajo e ka zbuluar dhuratën brenda vetes, është një yll që e mban të ndricuar gjithnjë. Rrezet e saj tashmë janë gati të ngrohin edhe të tjerët rreth saj, sepse në këtë mënyrë ajo është cdo ditë në zbulim të vetes, në zbullim të qëllimit se përse ka ardhur në këtë botë. Tashmë ylli i saj arrin të shkëlqejë edhe në qiellin tim pavarësisht distancës, sepse kur kemi zbuluar veten dimë se si të rezonojmë dhe “stay connected” me njerëzit që duam dhe kanë ardhur në jetën tonë për një arsye. Teksa shoh cdo ditë shkëlqimin e saj, mendoj se sa e sa gra të tjera mund të jenë duke pritur një sinjal të tillë dhe duke lexuar të tilla histori mund të frymëzohen për të ndryshuar jetën e tyre tani.

 

Marre nga Global Woman magazine

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *