Lira Sejdini
Kush i ka lexuar librat e Irvin Yalon të botuar në shqip, nuk ka si të mos e ketë fiksuar emrin e përkthyeses. “Kur qau Niçja” dhe “Kura e Shopenhauerit” janë dy libra që nuk mund t’i përkthejë kushdo. Për më tepër kur nis leximin dhe ndjen se si rrjedh gjuha e pastër dhe aq profesionale kupton se ke të bësh me një përkthyese profesioniste. Lira thotë me modesti se është amatore në këtë fushë, por vetë cilësia e këtyre librave tregon se ajo i ka bërë një dhuratë të bukur lexuesve shqiptarë. Lira ka ardhur në Angli para 7 viteve për të studiuar për psikologji, ndërsa tani ka krijuar familjen dhe karrierën e saj duke ditur gjithnjë të ruaje balancat dhe të jetë një shembull për çdo grua shqiptare në emigrim.
Jeni përkthyese e dy librave më të suksesshëm të Irvin Yalom. Si ju lindi ideja të sillni Yalom në shqip?
Unë jam njohur me kontributin e Irvin Yalom ne fushën e psikoterapisë ekzistenciale dhe të asaj në grup gjatë kohës kur studioja në degën e psikologjisë në Universitetin e Tiranës dhe më pas gjatë një trajnimi për Psikoterapi. Megjithatë rasti për t’u njohur me Yalomin si shkrimtar mu krijua në sajë të njohjes me një psikoterapiste gjermane gjatë Kongresit Boteror të Psikoterapise të zhvilluar në Vienë në vitin 2002. Ajo ishte shumë e interesuar për Shqipërinë dhe për zhvillimin e fushave si Psikologjia dhe Psikoterapia në vendin tonë. Ne i mbajtëm lidhjet dhe ajo me dashamirësi, tre vjet pas takimit tonë të parë më dhuroi librin “Kur qau Niçja” në kujtim të takimit tonë në Vienë. Ashtu sikurse lexuesit e dinë, ngjarjet e këtij romani gjithashtu vendosen në Viene. Ulla më shkroi: “Shpresoj që do ta pëlqesh këtë libër si një udhëtim tjetër letrar dhe psikologjik në Vienë ku ne patëm fatin që të takoheshim për shkak të anullimit të një leksioni gjatë Kongresit Botëror të Psikoterapisë. Gëzuar Ditëlindjen e dashur Lira!
Kjo qe një nga dhuratat më të bukura që më është bërë ndonjëherë. Romani më bëri kaq shumë për vete saqë i jam kthyer disa herë dhe dëshiroja që kënaqësinë e leximit të tij ta ndaja dhe me të tjerë. Dy punonjëse të Shtëpisë Botuese Morava ma morën në konsideratë kërkesën për të bashkëpunuar me ta, për ta sjellë këtë libër në gjuhën shqipe. Besoj që gjërat që më ndihmuan ta përkthej në mënyrë të suksesshme pavarësisht të qenit amatore në përkthim ishin dashuria ime për librat dhe për këtë libër në veçanti, njohuritë e mia në fushën e psikoanalizës (sapo kisha përfunduar një master për studime psikoanalitike) dhe përvoja me përkthime kapitujsh tekstesh psikologjie nga anglishtja në shqip që kishte qenë nevojë dhe kërkesë gjatë studimeve për psikologji në shkollën e lartë në Tiranë.
Pas suksesit të librit në treg dhe inkurajimeve që mora nga miqtë dhe lexuesit, e pranova me kënaqësi kërkesën për të përkthyer librin tjetër të mrekullueshëm të Yalomit me titull “Kura e Shopenhauerit”. Megjithëse i shkruar në një stil tjetër dhe ndoshta pa atë tërheqjen që të shkakton libri “Kur qau Nicja”, për mua ky libër ka vlera të mëdha dhe jep mësime të mëdha për marrëdhëniet mes njerëzve.
Ndërkohe ju jetoni në Londër-si ndiheni pas kaq vitesh këtu?
Unë kam rreth 7 vjet që jetoj në Angli dhe pjesën më të madhe të kësaj kohe e kam kaluar në Londër. Ndihem me fat që jetoj në këtë qytet shumëkulturor. Pas gjithë këtyre viteve, ndjehem më e integruar në shoqëri dhe ajo që më ka ndihmuar ta realizoj këtë ka qenë puna. Ndërkohë e ndjej edhe nevojën të rris dhe të mbaj kontaktet me komunitetin shqiptar që jeton këtu.
Keni ndërtuar familjen tuaj tashmë dhe bashkëshorti juaj është i huaj-cila është historia juaj e dashurisë?
Unë dhe Inder jemi njohur gjatë kohës që studionim në Universitetin e Essex në vitin 2003. Të dy ishim të sapoardhur në Angli dhe studionim për master, ai në degën e inxhinierisë së telekomunikimit dhe unë në atë të psikoanalizës. Tërheqja e parë, kurioziteti për të ndryshmen që shihnim tek njëri tjetri por dhe ndjenja reciproke e përkujdesjes për njëri tjetrin bënë që krijonim dhe të forconim këtë lidhje që kemi edhe sot.
Çfarë ka të veçantë dhe çfarë ka të përbashkët mes dy kulturave ajo indiane dhe shqiptare kur bëhet fjalë për marrëdhënien në çift?
Është e vështirë të bësh përgjithësime për kulturën indiane që është aq e larmishme sipas besimeve fetare, statusit ekonomik social të njerëzve etj. Dhe është vështirë të bësh përgjithësime edhe për kulturën shqiptare kur është fjala për marrëdhëniet ne çift pasi has modele të ndryshme. Megjithatë, ajo që besoj se i dallon të dyja kulturat është se në Indi vazhdojnë të dominojnë martesat me mblesësri ku prindërit luajnë një rol kryesor në zgjedhjet që bëjnë fëmijët e tyre. Ndërkohë që në Shqipëri them se kjo gjë ka ndryshuar. Kuptohet në dyja rastet gjen dhe mjaft përjashtime.. Perceptimi tjetër i imi është që në kulturën indiane familja konsiderohet shumë e rëndësishme, dhe që si roli i gruas ashtu dhe ai i burrit shihet në funksion të familjes.
Si ndihet fëmija juaj në mes dy kulturave?
Djali ynë është ende i vogël, vetëm 17 muajsh, por megjithatë i ka vizituar që tani që të dy vendet nga ne vijmë. Shpresoj që teksa rritet dhe me ndihmën tonë të njihet, të vlerësojë dhe të pasurohet nga traditat tona kulturore. Njerëzit shpesh më pyesin nëse do ti mësoj djalit shqip. Sigurisht që do të doja që ai ti mësonte të treja gjuhët tona (anglisht, shqip dhe panxhabi), por për këtë do të duhet shumë punë dhe strategji.
Ndërkohë ju keni studiuar për Psikologji, punoni, merreni me përkthime dhe njëkohësisht jeni në një vend të huaj-a është e vështirë për ta menaxhuar jetën me kaq intensitet.
Është e vështirë të gjesh balancën mes punëve dhe përgjegjësive nga njëra anë dhe pasioneve dhe nevojës për tu qetësuar nga ana tjetër. Ka patur periudha kur kam qenë e fokusuar vetëm tek puna dhe përkthimet dhe këto periudha më kanë sjelle lodhje por edhe shpërblim më pas. Sikurse ka patur raste kur më është dashur të heq dorë nga ndonjë punë a përkthim që e kam patur për zemër. Lindja e djalit gjithashtu më solli një ndryshim të madh në jetë dhe dëshira për të kaluar kohë me të konkurron me shumë dëshira dhe pasione të tjera në jetë.
A vazhdoni ti mbani lidhjet me Shqipërinë dhe njerëzit që keni atje?
Sigurisht. Përveçse atje kam motrën, mamanë, të afërmit e mi dhe shoqërinë e vjetër, Shqipëria mbetet vendlindja ime dhe më ofron gjëra që nuk mi ofron dot asnjë vend tjetër. Zakonisht kthehem atje njëherë në vit dhe ndjehem si në shtëpinë time. Takohem me njerëzit si të mos ketë kaluar një vit pa u parë, me të njëjtën dashamirësi dhe mirëkuptim. Nga ana tjetër koha që kaloj atje më duket gjithnjë e shkurtër për tu çmallur dhe takuar me të gjithë. Jam e lumtur që mbaj sadopak lidhje me njerëzit me anë të facebook.
Si e shihni veten pas 10 vitesh?
Do të dëshiroja që në fushën e psikologjisë të avancoja në studimet dhe karrierën time. Gjithashtu, uroj që në të ardhmen të kem mundësinë të realizoj përkthime interesante. P.sh më interesojnë librat me temë historike apo që flasin dhe për kultura dhe besime fetare pak të njohura në Shqipëri. Më e rëndësishmja shpresoj të jem e rrethuar nga njerëz që i dua dhe më duan.
Mirela Sula, Shkurt 2013