Merita Isufi:Rrugëtimi im i suksesit mes pasionit dhe shpresës për ndryshim

Nga Fatima Gorezi

Prej 18 vitesh në Angli Merita Isufi ka kaluar një jetë mes sfidash dhe peripecish, por ku nuk kanë munguar asnjëherë ëndrrat për të ardhmen , dashuria si edhe përkujdesi për familjen. E larguar nga Shqipëria në një moshë shumë të re, kur  kishte marr vetëm arsimin e mesëm dhe pa e njohur gjuhën angleze, momentet e para të saj në Angli ishin plot risi, frikëra dhe ndryshime. Ishin pikërisht këto sfida si edhe pasioni për të mësuar që e bënë të vazhdonte në rrugën e dijes, duke i dhënë jetë disa ëndrrave përnjëherësh dhe duke u lartësuar në gruan e suksesshme, profilin e së cilës mbart sot. Nënë e dy vajzave të mrekullueshme, me shumë vite të investuara si mësuese në shkollat angleze dhe shqiptare në Londër, Merita e ka ngjitur edhe më lart emrin e saj duke krijuar platformën ‘’Succesful Mothers’’, një iniciativë që u mundëson të gjitha nënave të ndajnë me njëra-tjetrën eksperiencën e tyre, sukseset, vështirësitë, mirënjohjet, dështimet dhe lumturinë në rrugëtimin e tyre si nëna. Pasioni i saj më i madh është që të përcjell një ndikim pozitiv, të motivojë  nënat, që të rrisin standardet e tyre në zhvillimin personal dhe profesional, pasi roli i gruas si nënë dhe i nënës si grua janë dimensionet më me vlerë të një shoqërie të shëndoshë.

Merita sot një grua e pavarur dhe me një kontribut në shoqëri. Cili ka qenë rrugëtimi juaj deri këtu ?

Udhëtimi im ka qenë i gjatë, i këndshëm, me vështirësi, përpjekje dhe arritje. Jam rritur në veri të Shqipërisë, në një familje të madhe dhe shumë të dashur në Tropojë. Në moshën 14-vjeçare jam shkëputur nga vendi im pasi vazhdova studimet në shkollën pedagogjike në Tiranë. Në ato vite filluan ndryshimet në Shqipëri, pasi  ishte fillimi i viteve 1990. Pas  rrëmujave shumë shqiptarë u larguan nga Shqipëria pas një izolimi 50-vjeçar, ndërsa shumë të tjerë luftuan për ndryshimin e regjimit dhe për tu dhënë jetë aspiratave të tyre në Shqipëri.

Në vitet 97-të ishin trazirat e tjera të luftës së Kosovës. Me mijëra familje u detyruan të largoheshin nga trojet e tyre dhe u vendosën në Shqipëri nga Veriu në Jug. Tropoja ishte shumë e përfshirë në ato trazira. Mbaj mend bombardimet që dëgjoheshin si shkak i luftës, gjithashtu populli ishte i  armatosur nga thyerja e depove, ishte një pasiguri në vend. Në atë kohë unë prisja fëmijën e parë dhe isha e shqetësuar pasi doja kur fëmija im të vinte në jetë, të ishte në një botë paqësore pa frikë dhe probleme, sepse unë personalisht si nënë isha e përgatitur t’i jepja qetësi dhe dashuri.

Jam larguar në vitin 1999 kur vajza ime e parë ishte vetëm 22 muajshe. Jetoj në Angli prej 18 vitesh. Përballja me vështirësitë fillon që në momentin kur emigron në një vend tjetër. Unë nuk flisja asnjë fjalë në anglisht pasi në shkollë kisha studiuar frëngjisht. Shkalla e parë e integrimit është mësimi i gjuhës së atij vendi, prandaj menjëherë fillova të mësoj gjuhën me fjalor ndërsa isha në listën e pritjes në kolegj. Në shkollën e vajzës drejtoresha më dha një klasë të mësoja gjuhën shqipe fëmijëve shqiptarë të asaj zone pasi ishin të shumtë dhe më vonë isha ‘’parentgovernor’’ në të njëjtën shkollë.

Kam studiuar për 4 vite dhe menjëherë jam punësuar pasi u diplomova. Kam punuar si mësuese parashkollore në kopsht dhe shkollë angleze full time për 12 vite. Kam qenë e aktivizuar në mësimdhënie edhe në shkollën shqipe ‘Nënë Tereza’ në fundjavë, ku përveç një programi shumë te mirë të diasporës për të përcjell gjuhën shqipe, historinë, gjeografinë, kulturën dhe traditat e trevave tona, kam patur rastin të organizoj shumë koncerte, me raste te festave kombëtare si dhe festave të fëmijëve. Kombinimi i eksperiencave të punës gjate javës në mjediset e shkollës angleze dhe fundjavën në mjediset e shkollës shqipe ishte një ndërthurje shumë e bukur, e cila më ka dhënë njohuri pa limit. Sigurisht edhe lodhje, por kënaqësi sepse isha në zonën time të preferuar, pasi unë vija nga një familje prej 6 mesuesish. Kam pasur rastin të punoj me fëmijë, prindër dhe kolegë nga kultura të ndryshme dhe gjithnjë kam treguar interes në kulturat a tyre, si dhe kam qenë e hapur me informacion me vlerat e kulturës sonë. Jam nënë e dy vajzave të mrekullueshme. Të jesh nënë është një eksperiencë e papërshkrueshme. Ato janë prioriteti im në çdo hap. Pas 16 viteve eksperiencë pune, trajnime dhe investim në edukimin personal kam krijuar platformë time të quajtur “SuccessfulMothers”

 A është e vështirë të jesh shqiptare në Angli, apo është më e vështirë të jesh shqiptare në trevat shqiptare ?

 Nga eksperienca ime të jesh shqiptare në Angli ka qenë dhe është një eksperiencë e këndshme përsa i përket karrierës, pasi jam punësuar në bazë të plotësimit të kritereve dhe jo se nga jam, kë njoh apo çfarë partie përfaqësoj sikurse shpesh ndodh në trevat tona. Në Shqipëri kam qenë në një moshë të re ku vërtetë ka qenë periudhë e pastabilizuar dhe për punë as që bëhej fjalë. Një shembull dua të theksoj  në kohen kur unë mbarova pedagogjiken u hap një vend pune për mësuese në shkollën fillore aty ku jetonim, ishim vetëm 2 aplikantë për atë pozicion, por mësues u emërua ai që kishte mbaruar të mesmen ,‘’Shkollën e Bashkuar’’,  të cilin e përshëndes sot, sepse në bazë të familjeve nga vinim, mendohej se ai ishte më i flakët me partinë në pushtet në atë periudhë. Askush nuk bëri pyetje se sa të aftë ishim për punën apo të merrej parasysh kualifikimi i përshtatshëm.

Punësimi im në Angli ka qenë i tillë : Kam plotësuar aplikimin në bazë të përshkrimit të punës dhe rregullave në London Metropolitan University. Aty kishin aplikuar qindra të interesuar. Një hap drejt suksesit ishte se aplikimi im ishte pëlqyer dhe më thirren për intervistë. Në intervistë paneli përbëhej prej 4 vetave të cilët do drejtonin pyetje me radhë. Pas intervistës u ndjeva shume e respektuar ashtu sikur duhej te ndodhe gjithandej. Mbasdite më morën në telefon dhe më ofruan punën si mësuese parashkollore ne kopshtin e universitetit. Pra një eksperiencë krejt ndryshe me vendin tim.

Me sa dëgjoj lajme, familjarë, shoqëri si dhe vizitat që kam bërë, për punë akoma është vështirë pasi jo vetëm mundësitë e punësimit janë të pakta akoma në trevat tona, por edhe ato vende që janë shumica merren me shoqëri, parti ose edhe para që njerëzit nuk i kanë por detyrohen t’i marrin borxh.

Duhet te ndërgjegjësohemi si popull të mos paragjykojmë, të përqendrohemi tek aftësitë dhe kualifikimet e përshtatshme për punë specifike dhe jo anët e tjera si p.sh. preferenca partiake, korrupsion o shoqëri, që nuk e lënë ekonominë të zhvillohet dhe vendin të eci përpara. Duhet të përballemi me këto fakte pasi nuk po japin rezultate me shekuj. Duhet të mësojmë tashmë nga këto gabime dhe të nxjerrim diçka me vlerë nga këto eksperienca të pakëndshme.

Përsa i përket rrjetit familjar, sigurisht që në Angli është më vështirë, sidomos për brezin tonë më shumë sesa për fëmijët tanë, sepse u desh të përballemi vetë me të gjitha vështirësitë pa ndihmëne familjarëve pasi ishim larg tyre. Ndoshta kjo ka bëre që të bëhemi më të fortë në jetë. Ndërkohë që për fëmijët tanë mund të jetë më e lehtë se jemi afër tyre dhe do të kenë mbështetjen tonë. Fëmijët tanë janë rritur me ndjenjën e atdhedashurisë. Ju pëlqejnë trojet shqiptare pa masë dhe ju vjen keq që nuk mund t’i vizitojmë shumë shpesh aq sa kemi dëshirë.

Cilat kanë qenë sfidat tuaja më të mëdha në jetë ?

Isha vetëm 5 vjeçe kur aksidentalisht humba babain nga orteku i borës. Ai ishte vetëm 43 vjeç. Dhimbja ishte shumë e madhe, por e konsideroj veten me fat që isha në një moshë që e mbaj mend dhe kam mbetur me kujtime shumë të bukura të tij në mendjen time. Humbja e nënës pas një viti që ika në Angli ishte tronditja e dytë  shumë e madhe jo vetëm se  nuk e kisha të mundur t’i jepja lamtumirën e fundit, por me kujdes duhej te balancoja mërzinë për nënën me kujdesin për beben që po zhvillohej pasi isha në muajin e 8-të të shtatzënisë me vajzën time të dytë. Më ka ndihmuar shumë qe nëna ime më kishte rritur dhe edukuar me dashuri dhe si të zëvendësojmëmërzinë me qetësi dhe konfidencë. Ajo më thoshte se në qoftë se duam të jetojmë një jetë të gëzuar dhe paqësore, qetësia është mbi gjithçka. Roli model i saj më shoqëron në çdo hap. Sot i kuptoj edhe më mirë këshillat e saj sepse nëse jemi të qetë kemi qartësi dhe kjo na bën të jemi më të logjikshëm kur reagojmë në situata të vështira që jeta mund të na i sjelli në çdo kohë. Unë e kuptoj në ekstrem fuqinë dhe vlerat që qetësia mund t’i sjellë dhe nga dita në ditë unë zgjedh qetësinë para stresit. Ne kemi hapësirë për të gjitha llojet e emocioneve, por zgjedhja e qetësisë si bazë është autoritare.

Emigrimi në një shtet të huaj ishte një sfidë në vete pasi unë isha një nënë e re, në një shtet të huaj ku duhej të filloja nga e para, duke mësuar gjuhën, studiuar për çfarë unë pëlqeja më së shumti dhe më e rëndësishmja duke rritur vajzat që janë vlera më e çmuar për mua. Sigurisht nuk ishte e lehtë, pasi shpesh rrija deri në 2 të natës për të studiuar, por kjo ishte mënyra e vetme e rritjes dhe e ecjes përpara. Ne duhet të aktivizojmë fuqinë brenda vetes jo vetëm të kalojmë vështirësitë qe përballemi, por të rritemi, të ecim përpara duke pasur shumë dashuri në zemrat tona. Që të ecim përpara është shumë e rëndësishme të përqendrohemi në të ardhmen duke u përballur me problemet që lindin gjatë rrugës. Nuk mund të kemi një jetë të gëzuar nëse qëndrojmë të shqetësuar ose dyshojmë veten. Në çdo gjë që ndodh në jetën tonë jepet mundësia të rritemi. Nuk ka arsye të mos rritemi sepse jeta na përplasi ne me vështirësi. Ne nuk mund të ndryshojmë se çfarë ndodh me ne, por e kemi në dorë se si të reagojmë në rrethana të ndryshme. Unë dua që vajzat e mija të rriten të mbrojtura me zërin e tyre të qëllimshëm. Janë ato që marrin vendimin se si të ndërtojnë jetën e tyre dhe unë do i rikujtoj në çdo hap se sa të mira ato janë duke ua shtuar optimizmin. Ne nuk përshkruhemi se kush jemi, nga çfarë na ka ndodhur në jetë, por çfarë ne kemi zgjedhur të bëjmë më mbrapa. Ne jemi këtu të rritemi, të ndiejmë, të mësojmë, të ndajmë me të tjerët, jo të gjykojmë veten apo të tjerët, por me mendje të hapur ta jetojmë jetën e plotë.

Nëse do të përdornit një shprehje për të përkufizuar veten dhe personalitetin tuaj, cila do të ishte ajo ?

Një njeri që e shikon jetën me sy pozitiveë edhe pse me vështirësitë dhe fatkeqësitë e saj. Besoj shumë në veten time, i respektoj shumë njerëzit dhe ju jap shume rëndësi atyre prej çfardo komuniteti qofshin.  I dëgjoj me kujdes dhe ndiej kënaqësi t’i ndihmoj nëse  është e nevojshme. Jam gjithnjë në rritje, vazhdimisht duke menduar folur dhe shkruar për realitetin që na rrethon dhe atij që dua të krijoj.

Cilat janë planet dhe përpjekjet tuaja në të ardhmen ?

Pasi kam studiuar trajnuar dhe punuar me fëmijë dhe prindër dëshira ime ishte ta kaloj profesionin tim në një tjetër nivel. Platforma “SuksesfulMothers” që kam themeluar, është një hapësirë që u mundësohet të gjitha nënave të ndajnë me njëra-tjetrën eksperiencën e tyre, sukseset, vështirësitë, mirënjohjet dhe lumturitë në rrugëtimin e tyre si nëna. Pasioni im është që të jap ndikim pozitiv në motivimin e nënave, që të rrisin standardet e tyre në zhvillimin personal dhe profesional, të forcojnë vetë-besimin, vetë-dijen, vlerën dhe respektin ndaj vetes pasi këto janë gurë themeli drejt suksesit,

Të qenit nënë është sukses, gjithashtu një eksperiencë emocionale. Emocionet janë nga më të ndryshmet, dhe të gjitha janë të pranueshme, por duhet te jemi në kontroll të këtyre emocioneve, t’i ekuilibrojmë ato, të ndërgjegjësohemi duke u kujdesur ndaj vetes për të kuptuar sa më mirë nevojat e fëmijëve. Kur kujdesemi ndaj vetes, mendjes, trupit dhe shpirtit, ne pozicionohemi në kornizën e mirëqenies dhe përdorim qenien tonë më  të mirë, të krijojmë lumturi tek të tjerët. Duhet të jemi në gjendje të kujdesemi për vetën në fillim që atë kujdes dhe dashuri ta japim tek të tjerët. Të reflektojmë në ndjenjat tona dhe të gjejmë rrugën më të mirë të përballemi me çdo emocion.

Të gjitha këto arrihen me qetësi. Qetësia është elementi kryesor i suksesit. Askush nga ne nuk ka jetë perfekte. Çdo nënë, prindër ka problemet e veta, por disa njerëz dinë të japin ose gjejnë zgjidhje më të mira duke marr përgjegjësitë që ju takojnë dhe duke i kthyer në mundësi drejt arritjeve. Rritjet dhe dituritë vijnë kur ne kemi rënë dhe kemi mësuar se si të vazhdojmë përsëri.

Cili është asosacioni që ju vjen me fjalën grua shqiptare ?

Grua e bukur, e zgjuar, punëtore, e edukuar, e dashur, për shtëpi, një model që ka prioritet familjen. Ato bëjnë më shumë për të tjerët sesa për veten e tyre, japin dashuri sepse ajo është natyra e tyre, por që kanë nevojë për tu përqendruar më shumë në veten e tyre. Unë shpesh i dëgjoj nënat e shteteve të tjera të thonë “Ndihem shumë krenare me veten time sepse gatova një ushqim të mirë” ose edhe për një diçka tjetër shumë të thjeshtë dhe i admiroj ato që lavdërojnë veten. Ndërsa për ne femrat shqiptare kjo është normë që nuk e vëmë në dukje. Ne duhet t’i flasim vetes tonë pozitivisht. Procesi i rritjes së vetë-besimit fillon kur ne vendosim që jemi të vlefshme dhe e trajtojmë veten si të tilla. Është përgjegjësia jonë të jemi në kontroll të vetë-konceptit dhe besimit në vlerat tona, talentit, mundësive dhe potencialit, sepse askush nuk do besojë tek ne derisa ne të besojmë në veten tonë. Duhet të jemi më të këndshme ndaj vetes, të gjejmë kohë për vete dhe ti flasim vetes tonë pozitivisht. Në momentin që mësojmë se si të trajtojmë veten ne krijojmë hapësirë të jemi më krijuese dhe jemi në pozicion më të mirë të festojmë arritjet. Si rrjedhojë krijohen energji pozitive qe reflektohen tek ne, tek familjaret tanë, si dhe tek të tjerët për rreth nesh.

Duke qenë se po i flisni një lexuesi shqiptar, a keni diçka për të shtuar, ndonjë këshillë apo sugjerim ?

Dua t’i them publikut shqiptar se kuptimi i jetës gjendet po aq shumë kur vuan në jetë, sikurse edhe kur ke një jetë të këndshme. Përballuni me vështirësitë duke marrë përgjegjësitë e duhura dhe duke gjetur zgjedhjet më të mira të mundshme, pa humbur kohë në fajësimin e të tjerëve. I çmoni gjërat që keni në mënyrë që të jeni të gëzuar në vazhdim.

Nëse doni që fëmijët të rriten në një komunitet të fortë dhe të dashur, atëherë duhet ta krijoni atë duke ndihmuar njëri-tjetrin. Kjo është rruga më e mirë për të ndihmuar veten dhe pasardhësit tuaj. Kontributi juaj në shoqëri ka shumë rëndësi. Nuk dua te shpenzoj kohë në politikë, por nëse duam që politika të mos jetë në qendër të vëmendjes, duhet që t’i bëni gjerat ndryshe. Mos te përsëriten modele që nuk kanë dhënë rezultate me shekuj. Nuk mund të përgatitemi për të ardhmen nëse nuk lëmë mbrapa të kaluarën. E kaluara të përdoret si eksperiencë që na ka mësuar se si të ecim përpara. Fëmijët janë e ardhmja, ne duhet tu prijmë në rrugën e duhur. Të jemi të dashur, të sjellshëm dhe të kujdesshëm për ta. Pozicioni gjeografik nuk të cilëson formimin, edukata familjare po. Dua të shoh një të ardhme pozitive në gjeneratën e re. Është kënaqësi të dimë se çfarë këta të rinj duan për të ardhmen dhe t’i ndihmojmë që ta arrijnë. Por gjithçka fillon nga mirësjellja. Të jemi të sjellshëm me veten dhe të tjerët. Mirësjellja rrit inteligjencën emocionale të fëmijëve, gjithashtu i mëson të kujdesen për të tjerët. Një mirësjellje e vogël ka efekt të madh në jetën e njerëzve. Dëgjoni të tjerët ashtu siç dëshironi që ata tu dëgjojnë ju. Nëse ata nuk janë dakord me ju nuk do të thotë se janë gabim, ata vetëm kanë një sistem besimi ndryshe nga ju. Nëse i gjykoni të tjerët i largoni nga vetja. Bota ka ndryshuar shumë dhe që të bëjmë një botë më të mirë ne duhet të përmirësohemi dhe të rritemi vazhdimisht.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *