Intervistoi: Fatima Gorezi

Dafina  Rama ka emigruar që para 17 vitesh në Mbretërinë e Bashkuar. Jeta për të nuk ka qenë e lehtë, por ajo ka ditur sesi t’i tejkalojë të gjitha vështirësitë dhe të bëhet ajo që është sot: një grua në karrierë që ka ndërtuar biznesin e saj, si edhe një nënë e shkëlqyer e dy fëmijëve të saj. Nga Elbasani në Greqi dhe më pas në Angli duket se jeta e saj është një rrugëtim i pasur plot me sfida, arritje, dëshira,mundësi dhe pasione për tu ndjekur! Asgjë nuk është e pamundur për një grua që si definicion të jetës së saj ka pozitivitetin. Në këto rreshta do të lexoni më shumë rreth përditshmërisë së Dafinës , një rrëfim sa emocional, po aq edhe frymëzues!

Ju prej vitesh keni emigruar në Mbretërinë e Bashkuar, si do e përshkruanit jetën tuaj aty, nga çfarë karakterizohet ajo?

Jetoj tashme prej 17 vitesh në Londër. Është një vend me një klimë të ftohte, por që të ofron çdo lloj mundësie. Kam dy fëmijë në moshën 13 dhe 15- vjeçare. Ata janë adoleshentë dhe në këtë moshë kanë nevojë për përkujdesje dhe vëmendje më shumë se kurrë. Unë punoj për një organizatë jofitimprurese nga e hëna në të premten dhe gjithashtu në kohën e lirë merrem me fëmijët, gjithashtu me aktivitete të ndryshme që më interojnë dhe pëlqejnë të marr pjese, por edhe me biznesin tim personal ‘’Social Media Entrepreneur’’ e cila u vjen në ndihme atyre personave që sapo kanë filluar në hapat e para të biznesit të tyre duke i ndihmuar në aspektin e rrjeteve sociale. Kam një shoqëri të gjerë që e njohim njëra-tjetrën që prej më shumë se 16 vitesh dhe jemi shoqe të pandara. Por gjithashtu kam krijuar shoqëri të tjera nëpërmjet shumë eventeve që kam marrë pjesë. E le të mos flasim për ish-kolegët apo për kolegët e tanishëm. Me pak fjale jam një grua shumë e zënë me familjen, punën dhe me aktivitete.

 Cilat janë sfidat e para me të cilat u përballët në Angli si grua dhe si emigrante?

Sfidat e para ishin gjuha dhe mentaliteti nga ne vijmë. Personalisht jam lindur dhe rritur në Elbasan. Sa vend modern, aq edhe tradicional. Kur erdha në Angli nuk erdha me mendimin që do arrij këtu ku jam sot, por gjithmonë kam dashur të eci përpara në jetë dhe duke qenë një femër ambicioze kam punuar dhe sakrifikuar shume për të arritur këtu ku jam dhe për të pasur një karrierë në jetë, por edhe të rris dhe edukoj fëmijët ashtu siç duhet. Unë do të thosha se sfida më e madhe për mua ishte të mësoja gjuhët e reja të cilat janë kaq të ndryshme. Gjithashtu ekzistojnë dallime të mëdha në aspektin e kulturës. Pas dy ditësh që jetoja në Londër fillova të punoja në një dyqan fast food, duke përgatitur ushqim dhe duke larë enët në kuzhinë. Isha shumë e heshtur sepse nuk flisja gjuhën angleze, dhe po ta lexojnë këtë miqtë e mi tashmë do të qeshnin, sepse ky nuk është aspak personaliteti im. Unë jam natyrisht shumë e komunikueshme me njerëzit, por në fillim nuk mundesha të komunikoja dhe kjo më pengoi të krijoja raporte me kolegët e mi.Kam punuar dhe studiuar shumë për të përmirësuar anglishten time dhe i kushtova vëmendje të madhe gjithçkaje që njerëzit flisnin përreth meje. Duke qenë qe flisja shqip dhe greqisht me ndihmoi të mësoja më shpejt anglishten dhe gjithashtu isha shumë e vendosur dhe e gatshme për të mësuar.

 Ju një kohë mjaft të rëndësishme ia dedikon familjes, si mund ta përshkruani lidhjen tuaj me ta?

Fëmijëve të mi sigurohem që atë kohë që u kushtoj të jetë një kohë me kualitet. Pra ato çaste që ndaj me fëmijët e mi janë çaste të përkryera ku ne bisedojmë se bashku, ndajmë ide dhe mendime për ato që diskutojmë. Nuk është e thënë se sa kohe shpenzon me fëmijët, por e thënë është se çfarë bën në atë kohë që je me fëmijët e familjen.

Për mua është shumë e rëndësishme komunikimi me ta dhe mund të them me plot gojën që jam  me fat që kam dy fëmijët e mi. Janë fëmijë vërtetë të mbarë dhe të edukuar (deri tani) dhe kam një lidhje shumë të fortë si unë me ta dhe ata me mua.

Sigurisht që koha që shpenzon me fëmijët ka shumë vlera. Mos e nënvlerësoni. Fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për atlete, ushqime, iPhone dhe veshmbathje. Ata kanë nevojë të bisedojnë dhe të ndihen që dikush është aty për ta sa herë ata kanë nevojë të flasin për çdo gjë. Pra ata duan siguri dhe dashuri.

 Si është e organizuar përditshmëria e Dafinës, mund të na tregoni diçka më tepër?

Zgjohem në 7 të mëngjesit dhe bëhem gati për në punë. Sigurohem që fëmijët të dalin në orar për në shkollë dhe pasi janë nisur fëmijët nisem dhe vete për në punë.

Kam filluar punën që në moshën 17-vjeçare në Greqi ku kam jetuar 4 vite me familjen time përpara se të vija në Angli. Unë e dua punën dhe më pëlqen të takoj njerëz të rinj dhe të  ndihmoj të tjerët . Nuk do rrija dot kurrë në shtëpi si një grua shtëpiake edhe pse të jesh shtëpiake është një aftësi më vete që jo të gjitha femrat munden ta bëjnë.  Punën që unë kam zgjedhur të bëj është asistente personale ekskluzive dhe më pëlqen. Punoj në këtë profesion gati 8 vitesh tashmë. Dhe kam  zgjedhur pikërisht në sektorin jofitimprurës pasi preferoj më shumë që kohën time ta jap për një kauze të mirë siç është organizata ku punoj dhe jo për të mbushur xhepat e personave që mendojnë si e si të pasurohen vetë sa më shumë.

Pasdite vij në shtëpi ku përpiqem të gatuaj apo të bëj punët e shtëpisë që janë edhe ato të domosdoshme në jetën e përditshme. Ndodh që ndonjë pasdite të dal me kolegët apo shoqërinë në ndonjë event ku edhe kjo dalje është një domosdoshmëri dhe kënaqësi më vete e sidomos pas një dite të lodhshme në punë. Gjithmonë i kam parë njerëzit përreth meje dhe kam shfrytëzuar mundësinë për të mësuar nga të tjerët.  Duke filluar gjithçka nga fillimi në një vend të ri dhe duke qenë mama e dy fëmijëve jeta ime nuk ka qenë e lehtë, por udhëtimi im me shumë sfida më ka mësuar shumë. Unë kam pasur gjithmonë një qëndrim shumë pozitiv ndaj çdo personi dhe gjërave që më ndodhnin, dhe kalimi nëpër shumë ndryshime në jetën time më ka bërë një person shumë te fortë. E konsideroj veten një person optimist dhe besoj në një të ardhme më të mirë, një të ardhme ku unë mund të kontribuoj çdo ditë me punën time dhe marrëdhëniet që ndërtoj me të tjerët.

 Sa e rëndësishme sipas jush është që gratë të kenë pavarësinë e tyre ekonomike, mendimin e lirë?

Mendimin e lirë nuk na e heq askush ne grave atë e kemi fituar, por mos të abuzojmë me lirinë e mendimit e të themi dokrra.Pavarësia ekonomike është shumë e rëndësishme për gratë, por gjithmonë kjo varet edhe nga bashkëshortët që ato kanë. Sipas meje një familja e shëndetshme duhet të ketë një ekonomi të përbashkët. Martesa, familja mbahen nga ekonomia e përbashkët dhe nga shtrati i përbashkët; nga bisedat dhe diskutimet e përbashkëta. Në qoftë se gruaja do të mbajë gjithë të ardhurat për vete dhe faturat vetëm burri? Kjo nuk është e drejtë. Normalisht dihet që burrat janë forcë e parë ekonomike në shtëpi, por jo gjithmonë pasi edhe gratë janë forca ndihmëse. Dhe nëse flasim për femrën beqare e cila dëshiron të jetë financiarisht e pavarur atëherë kjo gjë arrihet, por gjithmonë. Duhet të ketë një qëllim përse duhet të jetë financiarisht e pavarur pasi dhe biznesi i tyre do ndikoj në mirëqenien e familjes. Ne kemi një shprehje: Ai që vetëm për vetë punon është si druri që kokrra nuk lëshon! Edhe një femër e pavarur financiarisht duhet të ketë një qëllim në jetë. Përse dëshiron të jetë e pavarur ekonomikisht?Do të jetë e pavarur ekonomikisht sepse dëshiron të udhëtojë e të shikoj botën. Shumë mirë! Dëshiron pavarësinë ekonomike që të bëhet e famshme dhe VIP? Bukur dhe kjo! Apo sepse dëshiron të investoj diku për diçka apo dëshiron që njohuritë e saj t’iu a kalojë dhe të tjerëve? Edhe kjo shume mirë. Apo dëshiron tu japi fëmijëve të saj edukimin që ata meritojnë duke i çuar nëpër shkolla private  apo kurse të ndryshme? Shumë mirë edhe kjo. Pra në jetë nuk ka rëndësi se sa shumë gjëra bën, por çfarë gjëje specifike arrin të bësh dhe përse e bën atë gjë.

Cilat janë planet tuaja për të ardhmen ?

Qëllimi im më i madh në jetë është të shoh dy fëmijët e mi duke bërë diçka të mirë në jetën e tyre dhe të bëhen persona të edukuar. Unë do t’i mbështes gjithmonë në çdo hap të jetës. Gjithashtu dua që të zhvillohem personalisht dhe profesionalisht, të kontribuoj sa më shumë në jetën e përditshme sociale, të rris biznesin tim dhe të bëhem financiarisht e pavarur.  Unë kurrë nuk do ta humbasë dëshirën time për të mësuar dhe për të kaluar njohuritë dhe pozitivitetin tim tek njerëzit rreth meje.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *