Nga Mirela Sula

 

Në Shqipëri nuk e duan femrën për ta njohur, e duan për ta përdorur – Yllka Mujo

yllka-mujo
Yllka Mujo

Mesa më ke thënë i keni siklet intervsitat. Mund ta di arsyen?

-Nuk më pëlqen të jem e dukshme në kohën kur s’bëj asgjë.

Aktualisht nuk jeni duke bërë asgjë?

-Jo. Aktualisht po punoj me një pjesë të Margaret de Moor. Bën fjalë për emancipimin e femrës. Çfarë është femra, çfarë përfaqëson dhe çfarë të veçante ka ajo që mashkulli nuk e kupton dot. Dhe gjithë problemi është që mashkulli kërkon ëndrrën, emocionin e parë, që më pas zhduket. Kërkon një marrëdhënie bashkëshortore të ngjashme me herën e parë. Ai nuk e pranon dot që në të mëpastajmen të mos gjejë emocionin e fillesës.

A e gjeni ndopak veten të ngjashme me personazhin?

-Ngjashmëri përgjithësuese. Sepse njerëzit kërkojnë tek të tjerët diçka të ngjashme me ëndrrën e tyre, pa u marrë me atë që tjetri është realisht. Është si procesi i njohjes nëpërmjet një interviste. Në fillim ke një imazh tjetër dhe më pas kur e njeh personazhin nëpërmjet rrëfimit të tij, krijon konfiguracion krejt të ndryshëm.

Si ndodh ky përftim imazhi tek të tjerët?

-Njerëzit krijojnë imazhin që duan sepse e kanë vënë veten në mes të një rrethi të mbyllur. Ose e thënë ndryshe: Njerëzit kanë gjithnjë predispozitën që ta mbyllin rrethin. Por mençuria është të lësh një hapësirë, pa e mbyllur perimetrin që të shërben për reflektim. Sepse pas një farë kohe mund të marrësh një dimension të ri, të korrigjosh shumë gjëra tek vetja dhe ta shikosh tjetrin siç duhet. Sepse çdo gjë ka kaluar në laboratorin brenda vetes. Por njerëzit kanë predispozitë ta mbyllin rrethin dhe ti bëjnë përcaktimet me rreth të perimetruar pikë për pikë.

Për t’iu përshtatur të tjerëve, ambjentit, rrethanave ju ndodh të prireni për t’u bërë ashtu siç të tjerët shpesh na kërkojnë,  pra siç të tjerët dëshirojnë që të jemi?

-Jo aspak. Ndoshta për fat të keq, ndoshta për fat të mirë.

Në përgjithësi jeni natyrë që përshtateni?

– Mendoj se përshtatja është e vetvetishme dhe brendësore. Miqtë e mi kanë qenë natyra të vështira.  Dhe unë mendoj se ato kanë qenë pusi im. Më pëlqen përqasja e me pusin sepse ai është i pastër, rigjenerohet, është enigmatik dhe i mistershëm. Pikërisht për të gjetur atë pusin e dëshirueshëm, njeriu takon disa burime por ndalon tek pusi që i pëlqen shpirtit të tij.

Në kuptimin konfigurativ ideja e pusit përputhet me atë të portave që hapen e mbyllen para teje. Të ka ndodhur të trokasësh në shumë porta deri sa ke gjetur atë të vërtetën?

– Kjo çështja e portave është e çuditshme. Mendoj se na ndodh sa herë që të hapen porta tek të cilat s’duam që të hymë, ashtu siç na ndodh që të trokasim dhe të mos na hapen. Është një kërkim i vetvetishëm për të gjetur atë “pusin” ose portën tënde, dhe është çështje natyrash, kërkesash, përputhjesh, kënaqësish. Mund të them që me kalimin e kohës portat bëhen gjithnjë e më të rralla.

Po nëse një portë të tundon ta hapësh dhe ajo nuk tëhapet?

-Kur porta të përzë do të thotë se nuk ka lidhje me ty. Tek ajo nuk ke pse ngul këmbë. Në përgjithësi mbyllet ajo portë ku nuk duhet të kishe trokitur. Këtë gjë e kupton me kalimin e kohës.

Por ka raste që të dhemb shumë kur e kupton vonë këtë?

-Pa dyshim, kur ti e ke hapur atë portë, kur i ke dhënë hapësirë dhe kur e ke lulëzuar kopshtin, ke mbjellë lulet dhe lulja ka çelur. Ajo e ka nxjerrë aromën dhe ti pret që ky kopsht të lulëzojë përgjithnjë. Dhe ndërsa ti ke treguar gjithë përkujdesjet pret rezultatin. Por jo të gjithë kanë hapësirat e tua dhe jo të gjithë njerëzit janë të aftë të mbajnë një lule përgjithnjë. Njerëzit nuk e përballojnë një lulëzim të përhershëm. Tek disa njerëz ka ca pika dritash që ndizen e fiken tek të tjerët rrinë gjithnjë të ndezura. Ky është një lloj eksplorimi që bën tek tjetri. Pra ti nis e fillon të zbulosh brendësinë. Ka njerëz që lodhen. Nuk është çështje karakteri. Është çështje parametrash.

Mos është një pikë e dobët e femrave që dhurojnë shumë nga vetja?

-Kjo pastaj është mjeshtëri… Që ti mos dhurohesh që në fillim sepse duhet të mbetet një enigmë që tjetri duhet ta zbulojë gjithë jetën.

Si është Yllka në këtë dimension?

-Unë kam natyrë fëminore në këtë sens. Nuk i mendoj kurrë gjërat me grafik dhe sipas një planifikimi: sot të jap këtë, nesër atë. Unë jam vetja ime. Jam natyrë e hapur. Dikur nuk e dija, dhe e vuaja, tani jo më. Një gjë e programuar asnjëherë nuk është e vërtetë. Dhe këtë e tregon pasoja. Kur ti do dhe jep një ndjenjë të vërtetë, humbja e kësaj ndjenje të dhemb deri në kockë. Nëse hyn e programuar nuk dhemb, sepse është falsitet. Njeriu duhet ta prekë me të gjitha dimensionet dashurinë dhe dhimbjen. Si mund të iki unë nga jeta pa e njohur deri në fund dashurinë dhe dhimbjen. Sepse në fund të jetës do jem e kënaqur kur ti them vetes dhe zotit: Unë Yllka, nuk i jam shmangur të qenit njeri.

Si e përjeton në përgjithësi pasojën, pra dhimbjen?

-Rri vetëm. Nuk e di për sa kohë. Mbyllem dhe duke u vërtitur mes njerëzve. Më pëlqen të eci dhe të meditoj gjithë kohën, gjithmonë.

A priresh ta fajësosh veten gjatë këtij procesi?

-E bëj dhe s’e bëj. E bëj kur raportohem me të tjerët dhe nuk e bëj në raportin me veten. Vetë jeta të mëson të mos ndryshosh natyrën tënde, të vazhdosh të jesh ai njeri që je dhe të mos i lejosh të tjerët të të vrasin. Unë e marr porcionin tim, por e marr nga vetja, jo nga të tjerët.

Të tjerët arrijnë të krijojnë efekte ndaj teje?

-Njerëzit nuk dinë të të njohin. Një fjalë e lëshuar pa dashje nuk më bën t’ia vë fajin atij apo asaj. Ky është karakteri i njeriut. Nuk ushqej ndjesi.

Të ndodh të mbash qëndrim ndaj keqdashjeve?

-Unë përpiqem të tregoj veten, sepse nuk më pëlqen divorci me njerëzit. Dasia që krijohet nuk i bën mirë as një pale dhe as të tjerëve. Por ndodh kur përpjekja nuk rezulton në atë masë. Atëherë iki pa fjalë.

Duke qenë natyrë që priresh të investosh shumë në shoqëri, të ndodh që ta vuash ”krisjen”??

-Sigurisht. Unë në përgjithësi në marrëdhëniet me njerëzit nëse kam marrë pika të ndritshme dhe nëse shoqëria është keqkuptuar dhe unë nuk kam arritur dot ta sqaroj ato dy pika të ndritshme janë akoma vlera që jetojnë me mua. Në përgjithësi divorcet në shoqëri ia kam lënë të tjerëve. Unë nuk bëj.

Duke qenë kështu, ndoshta të tjerët mund të kënë provuar të abuzojnë me mirësinë tënde?

-Mendoj se ato abuzojnë me veten sepse u kthehet në boomerang. Kam idenë se kjo gjë është e përkohshme sepse çdo gjë shkon në vendin që i takon. Ngado që të vërtiten gjërat, do zënë pozicionin e vet real.

****

Ju hytë në mënyrë të rastësishme në kinema dhe në teatër. Si arritët që nga një rastësi të arrini të jeni një yll i kinemasë dhe teatrit shqiptar?

-Unë mendoj se nuk ka asgjë të rastësishme. Është destin. Një destin që ndodh brenda njeriut. Ajo që njeriu rrezaton është energji e padukshme dhe ajo në mënyrë të pavetëdijshme godet aty ku është destinuar. A e keni menduar ndonjëherë pse njerëzit lindin fëmijë dhe vdesin fëmijë. Sepse perëndia kërkon fëmijën. Gjithë ai hark i rritjes i bëhet njeriut për të kuptuar se duhet të shkojë atje ku duhet. Mendoni një fëmijë që e lë në mes të natyrës dhe ai mrekullohet nga ngjyrat, lëvizjet. Sepse ajo është përsosmëria.

Duke bërë një krahasim me fillimin tuaj të karrierës. Ajo fytyra jote në një përsosje bukurie dhe tashmë një shpirt që ka kaluar në dimensione të tilla. E ndjen veten të ndryshuar?

-E gjej veten shpeshherë të pandryshueshme në natyrë, dhe pse jam përpjekur ta çoj brendinë time aty ku dua. Disa gjëra dhe më janë dhuruar. Duke patur parasysh dhuratat e dhëna i thua shumë herë perëndisë më fal sepse ndonjëherë kam hedhur hapa pa e ditur. Perëndia u fal të gjithëve dhurata. Unë ndjej gëzim se fitoret e mia i kam arritur  vetë. Çdo gjë ka qenë vetë. Nëse kjo do ishte e shpërndarë me shumë njerëz dhe kënaqësia do ishte e copëzuar. Kjo kënaqësi e plotë, më jep siguri.

Por jeta nuk ju ka sjellë vetëm dhurata, ndonjëherë dhe goditje të rënda?

– Janë pjesë e jetës dhe ato. Gjithë goditjet që kam marrë në jetë,  më janë kthyer në hone që i kam mbushur me elemente të tjera, me investime të tjera.

Tek ju ka ndodhur një fenomen i çuditshëm. Ndërkohë që shkëlqente ylli juaj i fatit në karrierë keni përjetuar dhe disfata shpirtërore. Sa e fortë keni qenë për t’i përballuar, duke patur parasysh atë kohë paragjykimesh, emërtimesh të paqena dhe dënimesh absurde?

-Jam përgatitur për ta përballuar këtë mënyrë. Sepse nuk mund të jem unë providenca. Është destini. Siç më ka dhënë zoti forcën për të dhënë dashuri, për të përballuar dhimbjen i kam përballuar dhe disfatat. Ndonjëherë njeriu nuk e di që është kaq i fortë.

Keni bërë gabime në jetë?

-Plot. Në një farë mënyre i jam mirënjohëse gabimeve.

Keni kërkuar falje?

-Më pëlqen fjala: Më fal!

Në kohën e diktaturës keni qenë tendencë dhe jeni lakuar për një jetë shumë moderne shumë avanguardë për kohën. A ka qenë kështu Yllka?

-Besoj se ka qenë. Mua në një farë mënyre më ka shpëtuar ëndrra. Ky është  tharmi i bisedës që po bëjmë. Në përgjithësi jeta ime ka qenë e lidhur pas ëndrrave. Kjo nuk më ka lënë që ta njohë realitetin deri në vulgaritet. Më ka shpëtuar ëndrra. Unë tërë jetën jam marrë me ëndrrat, me dashuritë dhe lulëzimet e mia. Vajza ime më thotë gjithnjë. Mami ty të ka shpëtuar ëndrra që ke mbetur kështu. Duhet të falenderosh zotin dhe natyrën tënde për këtë”.

Ju kanë paragjykuar njerëzit?

-Njerëzit më kanë paragjykuar. Por nuk ka arritur deri tek unë kjo gjë. Nuk ka arritur të më godasë. Nëse jam paragjykuar nga njerëzit ka qenë sepse unë kam patur një dashuri në jetën time. Pa bërë deklaratë të dokumenteve unë ecja përdore me djalin që doja, dhe kjo sillte paragjykim. Unë nuk isha natyrë që të fshihesha pas shkurreve për të përjetuar atë çast lumturie që ishte e drejta ime. Atëherë ishte e rëndë. Ishe e vëzhguar.

Një jetë shumë elitare dhe pak trasgresive?

-Unë gjithnjë i kam njohur njerëzit. Gjithnjë me shikim të parë, dhe mund ti bëja grafinë e tipit dhe të shpirtit. Gabimi është se dhe pse e shikon diçka në pasqyrë kërkon përsëri të futesh ta njohësh. Është çështje natyre. Sepse kur ke perceptimin e parë nuk mund të futesh brenda atij njeriu, por të tërhiqesh sepse vjen një kohë që sa më shumë pasqyra të afrohet, do të ndjesh shpejt përplasjen dhe copëzimin e saj në fytyrë.

Jeta juaj aktualisht?

-Për momentin jam vetëm. Fëmijët nuk i kam këtu. Janë të dy me studime në Paris.

Pra, dy dashuritë tuaja më të mëdha janë të qenit nënë dhe artiste. Si bashkëjetojnë ato?

-Pjesa e nënës është investimi më i madh. Kur vjen puna për profesionin që ka qenë një shtyllë e madhe për mua dhe fëmijët nuk di kë të vlerësosh më shumë. Sipas momentit, herë ulet njëra e ngrihet tjetra. Besoj se të dyja kanë rëndësi të madhe në jetën time. Ka qenë një profesion i vështirë dhe një punë shumë e madhe me fëmijët. Mbaroja shfaqjen dhe flisja tre orë me fëmijët. Nuk lodhesha por e kisha kënaqësi. Kisha gjithnjë mendimin se nga gjithë ai vërshim energjie ato do merrnin diçka.

Me këtë kërkonit thonit se donit të kompesonit dhe palën tjetër që mungonte?

-Jeta private nuk është detyrë. Ndërsa të qenit nënë është një detyrë e madhërishme sepse ti i ke sjellë fëmijët në këtë botë.  Nuk besoj se kanë ndjerë mungesa. Unë fëmijët i kam patur miq. Unë nuk i kam folur kurrë me gjysma fjalësh, por me gjuhën e pasur shqipe. I kam dhuruar kaq shumë dashuri sa ato i duan të gjithë njerëzit. Unë kam arritur që fëmijët të  jenë të dashur, të jenë pa paragjykime.

Nuk ju frikëson kjo. Sepse hapja është problematike?

-Unë nuk kisha nevojë tu tregoja atyre anën e errët, sepse ajo ekzistonte. Unë kisha pikësynim atë anë që është me porcione të vogla në jetë. Jeta është shumë komplekse dhe njerëzit duke menduar se kushedi se çfarë do arrijnë, bëhen të vegjël, egoistë, interesaxhinj të momentit. Harrojnë se ajo që mbetet është vetëm dashuria. Fëmijët e mi, porcionin e lëndimit e kishin prezent se shihnin realitetin tim, ndaj i dhashë atyre dashurinë, që në realitet është e paktë. Unë me jetën time për ta kam qenë një mësim pa fjalë.

Për kushtet shqiptare a është problematikë liberalizmi i femrës. Normalisht jeton më mirë një grua nëse është e mbyllur, konservatore me pak hapje ndaj të tjerëve. Një model i ndryshëm nga i juaji?

– Sa më lart të ngjitesh aq më shumë e dëshiron lartësinë dhe duhet të presësh që dhe rënia të të vrasë keq. Vetëm atëherë e kupton që hiçi është realizimi më absolut i njeriut. Ato femra që lindin të mbyllura nuk njohin veten, dhe ato nuk kanë eksploruar asgjë tek vetja. Ato lindin dhe vdesin të mbyllura pa njohur procesin që lind, zhvillohet dhe njeh, njeh, njeh… Varet dhe ç’kupton me njohje. Nëse ti thua: Nuk e dua një shtëpi në Paris, nuk e dua në Las Vegas por dua një shtëpi modeste në fshat, për mua ke arritur tek ajo gjëja lartësore.  Pastaj njerëz të ndryshëm kërkojnë gjëra të ndryshme. Unë prej disa vitesh kërkoj këtë shtëpi. Në pallat më duket sikur komshiu më hyn poshtë derës. Të kesh një hapësirë vetjake ku ti je me veten, ku dëgjon muzikën që dëshiron, mbjell atë lule që do, për mua është kurba e lartësisë.

Oh zot! Në fshatrat shqiptare ka probleme dritash…

-Se kam problem. Ka qirinj (qesh).

***

Si i keni marrëdhëniet e me burrat?

– Më vjen keq për ta, sepse i shohin gjërat nga jashtë dhe në përgjithësi nuk kërkojnë një gjë “si prej vërteti”, por kërkojnë një gjë “për të vrarë kohën” dhe Koha Vritet. Ose ndonjëherë të shohin siç duan ata. Ka vulgaritet, dhe ndonjëherë kjo duket si ujë i ndenjur që ka zënë mushkonja.

A mendoni se shqiptarët janë ndryshe nga të huajt?

-Them që po. Në aspektin e marrëdhënieve. Ato kanë një etikë tjetër dhe një kujdes tjetër. Femra për të huajt është një dhuratë kurse për shqiptarët është mjet. Në Shqipëri nuk e duan femrën për ta njohur, e duan për ta përdorur sipas mënyrës ballkanike. Më vjen ndër mend një detaj: Drekonim një ditë me dramaturgun Zhak Kordelie dhe me gruan e tij, me të cilën na u puqën goxha urat.  Unë nuk e flas shumë korrekt frëngjishten sepse e kam mësuar në mënyrë autodidakte. Vajza ime  u shqetësua nga frëngjishtja ime në atë drekë dhe nisi të më vinte në dukje gabimet. Dramaturgu ndërhyri dhe tha: Lëre se kjo e flet shumë bukur frëngjishten.  Po të ishte një shqiptar nuk do sillej në këtë mënyrë. Ai të linte të kënaqeshe dhe të shijoje gabimin.  Kjo është etika. Burri i huaj nuk të lë asnjë çast të ndjehesh keq. Femra nga natyra është shumë komplekse. Ajo nganjëherë nuk e di se çdo. Ikën nga diçka e mirë për të shkuar tek diçka tjetër pa e përcaktuar se çfarë dreqin do(qesh).

A jeni natyrë e lidhur me shtëpinë, punët, gatimin, pastërtinë…?

Nuk jam shumë shtëpiake por rri shumë në shtëpi. Kur futem aty më duket sikur i çliroj të gjitha copëzat që më janë ngjitur gjatë ditës dhe me heqjen e palltos del Yllka e vërtetë. Në shtëpi ndjehem rehat. Mund të rri gjithë ditën brenda në shtrat dhe askush nuk më shqetëson për këtë. Jam rehat me veten dhe nuk më shqetëson një plaçkë e hedhur mbi karrige apo një fije pluhuri. Jam rrëmujaxhije dhe më pëlqen ky fakt. Sigurisht pa u ekzagjeruar.

Një burri, sikur nuk i shkon shumë për shtat…

-Nuk e kam përjetuar këtë gjë sepse dhe bashkëshorti që kam patur nuk më ka rënë në qafë për këtë gjë.

Pse u larguat nga njëri tjetri?

-Ishte çështje natyre.

C’mendim keni sot për të?

-Unë kam ndarë dhjetë vjet të jetës me të dhe ka qenë një periudhë që kanë ardhur në jetë dy fëmijët e mi. Ndaj tij ndjej respekt dhe preferoj të mos flas shumë për atë kohë. Tani kanë kaluar vite dhe nëse më parë kam patur shqetësime, unë kam një dhuratë të madhe nga Zoti: harroj shumë. Tani ruaj gjërat më pozitive.

A është e lehtë të jesh kështu?

-Në fillim më ka ardhur si dhimbje, sepse të jesh një njeri kështu nuk është dhe aq e kollajshme. Më pas e kam pranuar. Në fillim ka qenë shtyrje nga pala tjetër, por më ka bërë mirë se më ka ndihmuar të eci vetë. Më  ka ndihmuar të ambientohem me hapësirën time dhe më pas ta dua këtë hapësirë. Në fillim lulen nuk e shihja siç e shoh tani, barin nuk e ndjeja siç e ndjej tani, dy zogj që çukasin pranë njëri tjetrit nuk i dashuroja siç i dashuroj tani. I kam dashur gjithnjë, por nuk kisha përkujdesjen që kam tani.

Mos jeni në kërkim të dashurisë?

-Unë nuk e kërkoj. Nëse perëndia më ka rezervuar ndonjë gjë le të ma sjellë. Nëse jo, le të më lërë këtu ku jam sepse nuk ndjehem keq. Nuk e vuaj këtë gjë. Po ta vuaja do e kërkoja. Unë jam e rrethuar nga dashuria. Kam fëmijët. Kam një adrenalinë krejt tjetër në lidhje me to. Vajza më pyet në telefon:”Si je?” Sepse mund të kem qenë e trishtuar ca kohë, dhe unë i them:”Jam mirë.” Dhe ajo thotë: ”Në Paris nuk bie më shi”. Ose fakti që të thotë “Dua të bëhem dikush dhe për ty”. Kjo do të thotë që investimi nuk ka shkuar kot. Ju e dini, format e dashurisë janë të ndryshme.

 

           Copëza filozofie nga aktorja

“Në rininë time kam qenë shumë e bukur, por nuk kam vuajtur kurrë nga kompleksi i madhështisë për këtë dhuratë perëndish. Procesi im nuk ka patur të bëjë me përkujdesjen ndaj kësaj bukurie për të qëndruar gjithnjë në qendër të vëmendjes. Qëllimi i jetës sime ka qenë dimensioni i brendshëm. Për mua njeriu qëndron tek bukuria kur nuk ka gjë brenda vetes. Për mua si Yllka, bukuria nuk ka qenë privilegj. Madje në rininë time e kam ndjerë shpesh si fatkeqësi sepse ishte pamje natyrale dhe më vendoste pa dashur në qendër të vëmëndjes. Njerëzit dilnin në dritare dhe  të kundronin tek ecja në rrugë. Për një njeri si unë, kjo ishte një gjemb që shkaktonte dhimbje”.

“Shumë miq të vërtetë më kanë vdekur. Një mik i madh për mua ka qenë Shvarci. Dhe ai, ishte një njeri që nuk e ndryshoi dot natyrën e tij”.

“Në kohën kur shqiptarët kanë jetuar mbylljen unë kam qenë shumë e hapur, siç jam dhe sot. E hapur, por jo e zhveshur. Unë nuk jam nudo asnjëherë. Mendimi im është i veshur gjithnjë me petka…”

“Kisha ca fqinj që banonin në pallatin tim dhe që kishin punuar për një kohë të gjatë në Francë. Ata sollën permanentin për herë të parë në Shqipëri. Kishim miqësi, dhe një ditë që shkoj në shtëpinë e tyre,  shoh burrin e fqinjës sime me këmishë nate. Unë isha e vogël atëherë dhe nuk e kisha parë herë tjetër këtë gjë.  E dija, që për gratë ishte diçka normale, ndërsa për burrat, jo. Një ditë vendosa ta pyesja fqinjën dhe ajo më tha: Po, xhaxhi Ylli fle me këmishë dhe pa të mbathura. Kështu bëhet më i rregullt qarkullimi i gjakut.  Ky fakt nuk më trembi, po më çuditi.  Ata punonin në hotel “Dajti”.  Në permanentin e tyre kam parë një kombinat dhe jam befasuar me erërat, aromat e manikyrëve, të shampove dhe pata impresionin se isha në tjetërkund. Ishin njolla të një bote tjetër që më perceptoheshin nëpërmjet aromave të forta. Dhe kam lëshuar një Ah..h të fortë. Pikërisht në atë moment fantazia ime nisi të merrte udhë dhe unë të imagjinoja gra me flokë të rregulluara, gishta që shkëlqenin nën ngjyrat entuziaste të manikyrëve dhe parfumi që lëshonte atë strashikun e elegancës joshëse femërore. Ajo grua ka sjellë një imazh të ri në familjen tonë. Ajo familje ishte një fill ndërlidhës me  preferencën time frankofone të mëvonshme”.  

“Vendi ku banoj është një katastrofë e vërtetë. Nuk të sheh syri një pemë ose pak gjelbërim. Kur shkoj për në shtëpi mundohem o të marr njeri në telefon, ose të futem të bëj një pazar, që të mos e shoh fare rrugën, por të arrij në shtëpi pa e parë rrethinën e vrazhdë. Kam  arritur që të largoj nga vetja ato gjëra që i bëjnë dëm ekologjisë sime shpirtërore.  Banoj në një lagje të zhveshur nga natyra dhe të suportimi i asaj lakuriqësie të zymtë natyrore,  më duket çdo ditë si  fitore”.

“Kur mendoj se e keqja nuk ka fund, them se jam mirë. Por asnjëherë nuk ndjehem e kënaqur, e arritur. Unë jam akoma në kërkim, në hulumtim dhe e dua shumë jetën”.

Maj, 2007

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *