Të flasim për të frymëzuar ato që akoma s’kanë zë!

mirela sula

Nga Mirela Sula

Për një kohë të gjate jam munduar t’i iki hijes dhe pluhurit që më krijonte herë pas here të jetuarit në Shqipëri. Ndjesi mikse nga më të ndryshmet kam përjetuar, deri dhe përpjekje për të mohuar atashimin që kisha krijuar me vendin tim, nga ato lidhjet e pashëndetshme dashuri-urrejtje, derisa një dite vendosa të arratisem në kërkim të clirimit. I ngjante pak as shumë shembullit të një vajze adoleshente që është zemëruar më mëmën dhe vendos të ikë nga shtëpia. Mendoja se ma kishte fajin mëma. Sot pas kaq vite eksplorimi, më shumë e më shumë shoqe takoj e dëgjoj që ndajnë të njëjten histori me mua. Gra të zonjat, të fisme, të mencura, të dedikuara për të lënë gjurmë për mirë në këtë botë janë të zhgënjyera që nuk po munden ta krijojnë këtë lidhje të shëndetshme dhe të vazhdueshme me vendin e tyre.

Pavetëdijshëm ndajmë të njejtën dhimbje-dashuri, në cdo mundësi që na jepet. Ato që janë akoma “në shtëpinë mëmë” ndihen si në kurth, ose sikur nuk e kanë lirinë për të shpalosur të gjitha potencialet e tyre, dhe vazhdojnë fajësojnë mëmën. Ato që kanë “ikur nga shtëpia” ndihen në faj dhe enden në kërkim të balances “mes kthimit dhe arratisë”. Të gjitha flasim: nëpër kafene, nëpër sallone bukurie apo rrjete sociale, por ama flasim edhe në auditore, ngjarje dhe aktivitete. Sepse duam të kemi një zë, dhe duam që historia jonë të dëgjohet e të ndikojë për të përmirësuar gjeneratat që vijnë. Duam që historia jonë të mos shtrembërohet, as nga bashkombasit tanë, por as nga ato që shpesh na paragjykojnë për faktin e thjeshtë që jemi “Shqiptarë”.

Ne që kemi “ikur nga shtëpia” dhe jemi rebeluar për t’u ndjerë të vlerësuar për atë që jemi, e ndeshim cdo ditë këtë trysni. Duke qenë një popullsi e vogël, shqiptarët gjithmonë kanë rënë në kurthin e “të gjithë janë njëlloj”. Nëse dikush kryen një akt negativ, efekti psikologjik që krijon në koshiencën tonë kolektive është i menjëhereshëm, aq sa duhen të paktën dhjetë akte të tjera pozitive për ta dominuar perceptimin negativ që krijohet për ne të gjithë. Për këtë arsye, “Gratë Shqiptare Flasin” është një platformë që vjen për të rindërtuar urat e thyera me “shtëpinë e braktisur”.

Mëma ka gjithmonë pritshmëri të lartë për fëmijët, por duam apo s’duam ne, mentaliteti i “prindërve” tanë akoma është: “Ai që të do të rreh”. (Sa herë ia përmend nënës time faktin se sa e rreptë ka qenë me mua ma kthen: “Duhet të ma dish për nder sepse prandaj je bërë kjo që je sot”. Duket se e tillë memorie është trashëguar ndër breza në arkivin tonë mendor dhe vazhdon të na shoqëroje ngado që shkojmë. Mendojmë se duke ikur, i largohemi kësaj kujtese, por ajo ëshë aty, si një chip i instaluar brenda nesh. Nëse ndihemi të rrahur nga “mëmëdheu” zgjidhja nuk është ta mohojmë, dhe as të gjejmë justifikime duke thene: “s’kemi gjë në dorë” apo duke fajësuar atë, por të behemi shembulli që duam të shohim.

Dikush mund të pyese – E si mund ta aspirosh këtë ëndërr kur shumë mirë e dimë që e shkuara ka për të qenë gjithnjë aty, pjesë e jona? E si mundet t’i shërojmë marrëdhëniet tona me të? Lajmi i mirë është që shumë prej neësh e kemi kuptuar se disa gjëra që kemi trashëguar nga të parët tanë, nuk do të thotë që duhet t’i përcjellim tek brezat që vijnë. Fakti që disa tradita vijnë nga të parët tanë, nuk do të thotë që detyrimisht janë të mira. Mënyra se si janë trajtuar nënat dhe gjyshet tona, mënyra se si vazhdojnë dhe keqtrajtohen sa e sa gra shqiptare edhe sot, nuk e reflekton aspak atë që ne duam të manifestojmë. Dhe këtë duhet të fillojmë ta ndryshojme pikë së pari ne gratë, në emër të bijave tona, që t’i japim krahë të ardhmes së tyre.

Gratë që kam takuar e njohur në procesin tim të rritjes, më kanë frymëzuar të krijoj këtë platformë. Është një ftesë që u drejtohet të gjitha grave shqiptare kudo që janë, në mbarë botën, një mundesi për secilën nga ne për të krijuar zërin tonë. Një zë që do të kontribuojë në ndërtimin e një imazhi të ri për veten, për memëdheun dhe për të gjithë botën që dëshiron të njohë vlerat tona. Imazhi, vlerësimi dhe dashuria që do krijojmë për veten do të sjellë një impakt madhor në mënyrën se si do fillojë të na shohë mëmëdheu, dhe më pas bota. Mënyra se si do ta trajtojmë ne veten do të na ndihmojë të “trajnojmë” të tjerët se si të sillen me ne, dhe të respektojnë vlerat tona.

Prandaj është e rëndësishme të fillojmë nga vetja: sado të zemëruara të jemi nga e shkuara, sado të zhgënjyera të jemi nga “të tjerët”, sado të lodhura të jemi në këtë rrugëtim për të marrë atë cfarë na takon, asnjëherë s’është vonë të bëjmë dicka për ta ndryshuar jetën tonë dhe të gjeneratave që do vijnë pas nesh. Gratë janë simboli i paqes, i krijimit dhe ndërtimit të jetës, i dashurisë dhe shpresës, prandaj kjo platformë është për ne, për t’u lidhur më shumë me njëra tjetrën dhe ndikuar pozitivisht për emrin që marrim me vete. Gratë Shqiptare Flasin dhe kur flasim të gjitha njëzëri dhe në harmoni, Universi përmbush qëllimin tonë në jetë. Le të flasim për të frymëzuar ato që akoma s’kanë zë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *