Nga Mirela Sula

Hetem Ramadani

253015_113149892176378_74094329_n
Hetem Ramadani

Një burrë që i ka të gjitha por që vazhdimisht i bënte pyetje vetes: është diçka që më mungon? Pse nuk ndihem në paqe? Me këtë pyetje u nis një ditë në rrugëtimin drejt njohjes së vetes, atje ku i vibronte muzika e shpirtit dhe kuptoi që paqen e kishte në vetëdijen e tij të fjetur. Hetem Ramadani nuk reshti asnjë minutë së kërkuari për ta mbajtur zgjuar muzikën e shpirtit të tij që i tingëllonte çdo herë e më thellë në seancat e tij të meditimit. Atje ku arritit të njohë jo vetëm shtresat e nënshtresat e vetes por edhe fijet e shpirtit që e lidhin në akordim me të tjerët, njerëzit e dashur që ai tashmë i ka bërë pjesë të pandarë të jetës së tij. 

Kur e telefonova për t’i kërkuar një takim m’u duk sikur ai kishte qenë në pritje të telefonatës. Një zë familjar, i plotë dhe aq burrëror më lë të kuptoj se Z. Ramadani ishte ndryshe nga ç’mund ta kisha imagjinuar unë, apo shumë të tjerë që kishin kureshtje për të. Në fakt, kohët e fundit është lakuar shumë emri i tij, ndoshta jo dhe aq për arritjet si biznesmen, e as për aftësitë e veçanta në këtë fushë se sa nga lidhja që ai krijoi me sopranon, artisten e madhe Inva Mula. Një çift që ka bërë bujë e po ngjall shumë kureshtje në publikun shqiptar ka një frymë gati mistike në marrëdhënien e tyre. Ajo me zërin e saj të magjishëm ka vibruar deri në shtresën më të lartë të vetëdijes së tij, ndërsa Ai me shqisat e tij të forta ka tërhequr si magnet ndjenjat e saj të brishta duke e kthyer gjendjen e tyre në arritje transcendente. Nëse e takon dhe arrin të futesh sado pak në botën e këtij njeriu të veçantë siç është Hetem Ramadani e kupton menjëherë se këtu ka diçka përtej njerëzores. Nëse kureshtja juaj shkon edhe më tej ju ftoj të lexoni këtë intervistë ku shpalosen cilësitë më të larta të një njeriu të suksesshëm, të ndjeshëm, bamirës, dhe me synime të larta në jetë.

 1472938_254010094757023_850655120_n

Intervista

Ne mësojmë gjithçka në shkollë e në universitet. Por duket sikur jeta është një cikël i mbyllur: – mbaro shkollën, zgjidh një universitet të mirë, gjej një person me të cilin martohesh, pastaj merr një kredi dhe të dy bashkë kalojnë tërë jetën për të punuar dhe shlyer kredinë. Si mund ta prishim këtë cikël, pasi  standarti i njerëzimit duket sikur është ky? Si e keni thyer ju këtë  cikël?

Njerëzimi sot, në mënyrë kolektive, jeton mbi konceptet që i ka dhënë dikush tjetër. Pra, ne jemi të kushtëzuar nga konceptet që të tjerët na kanë vënë. Koncepti është të shkojmë shkollë, të martohemi dhe të jetojmë brenda disa mureve. Këto mure në mendjen tonë janë mure që nuk na lejojnë të shkojmë në të panjohurën. Për të thyer këtë mur na duhet një energji e jashtëzakonshme për të parë ç’ka përtej…

Pse shumica e njerëzve nuk e kalojnë dot këtë mur, madje nuk e dallojnë dot atë. Sipas jush nuk kanë fuqi ta thyejne, nuk kanë kureshtje apo besim? Pse ndodh kjo?

Të gjitha sëbashku. Së pari nuk kanë besimin si forcë, si energji, por janë të dominuar nga frika për të panjohurën. Të gjitha ato elemente fikse që e përbëjnë jetën, i ka pranuar shoqëria dhe është pranuar në mënyrë kolektive për të gjithë. Psh, të jemi besnikë ndaj partnerit. Po ta lexosh Oshon, ai është kundër këtyre koncepteve. Ai na tregon se armiku numër Një i besimit është ai që e mendon shtratin për dy vetë. Shumica e njerëzve ndahen pas një kohe pasi nuk e kanë gjetur veten ose nuk e kanë njohur veten duke menduar se i plotësojnë kërkesat për vetveten te partneri. Të jetosh me një njeri që tëre jetën e do, apo të rrish i ngujuar nga konceptet e shoqërisë duke ndejtur rob i një njeriu që nuk e do? Shpesh njerëzit orvaten mes këtyre koncepteve që ua kanë mësuar të tjerët.

Pra këto mure që shoqëria i ka ngritur na pengojnë që ne të jemi vetja?

Absolutisht, këto limite që na i kanë vendosur të tjerët na kushtëzojnë dhe na bëjnë të jetojmë në një burg. Po të jetosh në koncept është sikur jeton në një  hapësirë të kufizuar.

Si mund ta kuptonë njerëzit që faktikisht jetojnë brenda këtyre mureve?

Pikë se pari duhet ta kuptosh, të jesh i vetëdijshëm që jeton në burg. Pra, nga frika që na është imponuar nga feja, nga sistemi apo nga familja, ne jemi të kushtëzuar të jetojmë me limite. Nëse para se të dilje nga shtëpia do të kishe pasur frikë se diçka e keqe mund të ndodhte atëherë s’do të kishe dalë fare nga shtëpia. Kjo është pengesë për zhvillimin e njerëzimit për të jetuar të lirë. Pse janë vënë këto pengesa? – Sepse kur arrijmë të zbulojmë “Pse”, arrijmë të zbulojmë se “Si”, mund të largohemi nga këto limite duke kapërcyer pengesat. Arsyeja kryesore vjen nga mosdija e prindërve, mënyra se si ata I edukojnë fëmijët që në moshë të vogë:  “Mos u hidh se mund të thyesh këmbën apo dorën”. Pastaj vjen feja, e cila në mënyrë manipulative i kushtëzon njerëzit duke i ndarë nga ‘tjetri’. Feja në vend që të kryente misionin për paqen e vetes u manipulua për të ndarë. Çdo ndarje është shkëputje nga universi apo Zoti.

Mund ta elaborojmë pak këtë konceptin e “Burgut”: Për ta bërë më të prekshme, duke u nisur nga përvoja juaj, kur e kuptuat që ky është burg dhe kishit dëshirë t’i shkulnit hekurat e këtij burgu. Si lindi ndërgjegjësimi tek ju?

Njeriu duhet të ketë kërkesa dhe mos të ndalet kurrë në zbulimin e ‘kush jemi’. Ne arrijmë një kërcim kuantik, jo duke provuar apo studiuar për të njohur të tjerët, por për të njohur veten. Kur njeh veten dhe zbulon kush je, ti atëhere ke  mundësi të dish kush janë të tjerët. Pa e njohur veten, nuk mund të njohësh të tjerët. Konkretisht, unë isha biznesmen dhe ambiciet e mia ishin për të pasur: për të pasur një shtëpi të mdhe, mjete financiare, pra për të qenë i pasur materialisht. Kur i arrita këto e pashë se po më mungonte paqja me veten, nuk isha i kënaqur. Isha mbyllur në ato konceptet e të shkuarës, isha i pavetëdijshëm dhe nuk mund t’i gëzoja milionat që kisha fituar. Nuk më siguroi instrumenti para kënaqësinë apo sigurinë time. Duke qenë i pakënaqur me veten dhe dëshira për të gjetur sekretin dhe për të ditur se kush jam unë fillova të lexoja një autor të quajtur Dipak Çopra i cili në librin e tij thoshte se për të pasur shëndet, sukses apo lumturi duhet të meditojmë. Ai thoshte se të gjitha jam i gatshëm t’i lë përveç families time dhe meditimit. Duke ditur se ky është një emër shumë i njohur në fushën e mjekësisë dhe në atë të shpirtit dhe trupit, fillova të mendoj sesi të organizoj jetën time për të medituar. I them sekretares sime që të ftojë Çoprën që të vinte dhe të na mësonte meditimin në punë. Ai ishte shumë i ngarkuar dhe na dërgon një nxënësin e tij, Z. Rave, i cili më parë kish qenë i punësuar si inxhinier në IBM, por mbasi takohet me Çoprën, e lë këtë punë për t’u bërë mësues i meditimit. Z. Rave erdhi në zyrat tona në Slloveni në vitin 1997, ku të githë të punësuarit kishin ftuar edhe familjet e tyre. Aty filluam të meditojmë të gjithë përreth, tre ditë, gjatë të cilave Z. Rave na shpjegoi meditimin. Unë e dëshirova këtë për të gjithë, pasi misioni i njeriut në jetë nuk është të bësh vetëm për vete por të bësh edhe për të tjerët. Pas kësaj kam medituar perreth 3 muaj. Pastaj shkova vetë aty ku Çopra ligjëronte, në Indi. Aty bënim rreth 10 orë në ditë meditim dhe tërë ditën duke dëgjuar Çoprën. Ishim rreth 450 veta, unë isha me gjithë ish gruan time. Për 10 ditë rashë në gjendje meditative. Çopra më tregoi edhe 7 çakrat, që gjenden në trupin tonë – këto janë kanalet energjetike në trupin tonë dhe nëse i hapim të gjitha këto trupi ynë nuk sëmuret pasi ne hapim veten drejt hapësirës dhe dijes së madhe.

Ju arritët në fund të këtij 10 ditëshi ta zbërtheni atë. Po njerëzit të cilët nuk e dinë se çfarë është meditimi si mund të hynë në botën e tij?  A është meditimi për të gjithë?

Zoti na kë dhënë trupin, mendjen dhe shpirtin. Këto tre komponentë, të ndërthurur me vetëdijen, e cila është burim ‘ndërgjegje’. Këtë na e ka dhënë dikush, Zoti apo Universi. Njeriu ka këto komponentë – vetëdija është burim i shpirtit, i trupit dhe i mendjes. Shkollat na zhvillojnë mendjen, por nuk aktivizojnë zemrën e as shpirtin. Pra ato nuk na mësojnë të kontaktojmë fushën, ligjin, vetëdijen, apo edhe vetë Zotin. Pra ne punojmë me mendje duke arritur ato që kemi arritur që ekszistojnë sot në botë, por jemi të stresuar dhe të sëmurë. Madje, e kemi pranuar sëmundjen apo të qenit I sëmurë si një gjendje normale. Por gjendja normale e njeriut është të jesh i shëndoshë. Edhe simbas Vedës shëndeti përkufizohet ndryshe, ai është pasojë e vetëdijes. Njerëzit të cilët kanë vetëdije të lartë, nuk sëmuren, ata janë tërë jetën të dashuruar me të tjerët, reflektojnë dashuri dhe kontribuojnë për të tjerët. Sistemi nervor i njeriut, që në moshën 3 vjeçare ka mundësi të meditojë. Meditimi është teknologjia e mendjes për të qetësuar mendjen. Të gjitha problemet që kemi në jetë rrjedhin nga mendja jo e qetë. Mendja e qetë është burim i kreativitetit, i dashurisë i harmonisë dhe i shkencës. Mendja e  qetë kontakton dijen universale ose Zotin apo ligjet e natyrës. Kur i kontakton këto arrin të jesh çfarë të duash dhe të kesh çfarë të duash. Mendja ka mundësi infinite. Çdo libër që lexojmë, ne kufizojmë veten, por njeriu me sistemin nervor që disponon dhe me vetëdijen që ka zotëron mundësi infinite dhe të pakufiziara. Vetë universi është infinit dhe është në ekspansion të përhershëm.  Zoti e ka krijuar qenien njerëzore pa kufij pasi shpirti dhe mendja e tij është e pakufishme. Nëse në trup jemi të limituar, shpirti është fushë pa kufij.

Pra intelekti dhe mendja është e kufizuar, kurse shpirti nuk ka limite. Këtë mund ta arrijë gjithkush? A mund ta mësojë gjithkush? Pra a është meditimi për të gjithë i arritshëm?

Absolutisht njerëzit mund të mendojnë si të duan ata – kjo është liria që posedojmë. Por është shkencërisht e vërtetuar, se çdo njeri me tru normal, nëse kupton se çfarë është meditimi ai arrin të zhvillojë trurin e tij. Truri zhvillohet edhe në shkollë. Po t’i lexosh të gjithë librat e botës prapë nuk do arrish ta zhvillosh gjithë trurin. Pra, ne jemi të kufizuar në dije, kurse potenciali i trurit ka mundësi të palimituara. Struktura e tij është si ajo e universit. Neuronet të cilat janë qelizat e tij bëjnë secili rreth 40 mijë lidhje e kështu me radhë lidhjet të cilat krijohen prej tyre arrijnë të punojnë në mënyrë të pakufijshme. Ky sistem nervor i shëndoshë mundëson gjendjen meditative. Meditimi mund të konsiderohet teknologjia më e përsosur për zhvillimin e trurit. Kur truri është i zhvilluar zgjidhen të gjithë problemet e njerëzimit. Truri është një instrument i cili na kontakton me dijen e lartë, me fushën ku gjithçka është e mundur. Ky tru zhvillohet dhe kontakton si instrument akut ose vetë Zotin ose dijen më të lartë të universit me anë të meditimit. Sipas studimeve nga Universiteti i Harvardit kërkuesit dolën në konkluzionin se truri pas studimeve të shumta del i dëmtuar. Të gjitha shkollat sot janë të bazuara në memorien, unë lexoj 50 libra dhe i memorizoj. Por në esencë ajo bëhet si një kartelë në kompjuter që mbushet e mbushet dhe pastaj nuk mund të regjistrojë  më.

Si mund t’i fshijmë këto gjëra të panevojshme?

Nuk duhet t’i fshijmë. Por të zhvillojmë trurin pasi ai ka mundësi infinite për zgjerim. Kurse shkolla, feja dhe kufizimet e limitojnë atë. Pra, truri ynë me këto koncepte të parakrijuara nuk është i zhvilluar. Ekzistojnë sot shkolla të bazuara mbi meditim, “councessness” ose vetëdije në shqip. Mbasi të qetësojnë trurin ato të krijojnë hapësira të reja për të memorizuar më shumë informacione.

Po thonit që ç’do gjë ka të bëjë më vetëdijen. Dhe të jesh i vetëdijshëm. Si mund ta zgjojmë këtë vetëdije?

Nëse u bëhet pyetja shkencëtarëve se çfarë është vetëdija pak prej tyre mund të na thonë se çfarë është ajo. Kur themi vetëdije është diçka abstrakte. Është diçka që akoma nuk është kuptuar. Njeriu ka 7 shkallë të vetëdijes. Shkalla e parë është gjumi, dhe më pas vijnë ëndrra, zgjimi, vetëdija trandendentale, kozmike, vetëdija e zotit dhe ajo e fundit vetëdija unike ku vetë zoti dhe ne bëhemi një. Pas zgjimit kemi vetëdijen në këtë shkallë që e kemi. Jemi të vetëdijshëm për shkak të shqisave tona. Kur jemi në gjumë nuk jemi të vetëdijshëm, në shkallën e zgjimit jemi të vetëdijshëm por shumë pak. Shumica e njerëzve edhe kur janë zgjuar vazhdojnë të flenë, pra janë në shkallën e vetëdijes së gjumit. Për këtë arsye kur vret dikë nuk je i vetëdijshëm, kur kritikon nuk je i vetëdijshëm, kur dikush krahason, kur dikush hidhëron dikë, kur dikush zemërohet, kur dikush nuk dashuron, kur dikush frigohet, të gjitha janë karakteristika të shkallës së zgjuar, por nuk jemi absolutisht në shkallën e vetëdijes.

Pra, kemi vetëdije të lartë dhe vetëdije të ulët?

Pikërisht. Kur themi kemi një vetëdije të lartë nuk jemi të saktë pasi pa meditimin truri është në gjendje fjetjeje. Qelizat nuk janë të zhvilluara të gjitha. Mund të jesh doktori më i madh në botë por nuk je personi më i vetëdijshëm në botë. Në jetë ne ecim në mënyrë mekanike, mbi bazën e rregullave që kemi mësuar. Por nuk do të thotë që jemi të vetëqdijshëm. Do të thotë që nuk kemi kontaktuar energjinë pozitive ose inteligjencën universale, ose Zotin. Shkalla e lartë e vetëdijes është shkallë transendentale. Kjo nënkupton – që të arrish të transendentohesh dhe të arrish shkallën transendentale duhet të përdorësh meditimin. Ky është i vetmi mjet. Feja ka pasur për detyrë për ta krijuar këtë paqe. Në këtë fazë krijohen hormonet pozitive si seratonina dhe endrofina, dhe zvogëlohen adrenalina dhe kortizoni që janë faktorë tw stresit. Truri si instrument kontakton dijen infinite, inteligjencën. Shkencëtarët e quajnë këtë ‘high level of concessness’ pra nivel i lartë vetëdijeje. Nuk është një dije e cila është krijuar nga shkolla, shoqëria apo familja. Ajo ekziston dhe ka ekzistuar që kur është krijuar njeriu dhe universi. Me anë të sistemit nervor mund ta kontaktojmë atë. Vetëdija nuk është proces bio-kimiko-elektrik që zhvillohet në tru, por është truri i zhvilluar i cili kontakton me dijen universale që është gjithmonë prezent. Shpirti ynë është prezent. Konceptet ndërrojnë kurse kjo vetëdije me inteligjencë ekziston te kushdo. Pas kalimit të fazës së katërt, pra vetëdijes trandendentale, vjen vetëdija kozmike, vetëdija e Zotit dhe një vetëdije e fundit ku vetë Zoti dhe ne bëhemi një, shkrihemi dhe kjo quhet “high level of concessnes” niveli më i lartë i vetëdijes, i koshiencës apo i ndërgjegjes. Vetëdija nuk është proces biokimik, por truri i zhvilluar dhe i qetë kontakton këtë energji inteligjence.

Ju në çfarë shkalle të vetëdijes gjendeni tani?

Unë edhe ti në këtë moment jemi në shkallën vetëdijes në gjendje të zgjuar. Kur jam në meditim jam në shkallën e Zotit, por shumë shpesh arrij në shkallën unike kur arrij të kontaktoj të gjitha ligjet e natyrës. Kjo ndodh kur mendja e njeriut e humb kohën, pra kur jeton mendja pa kohë trupi nuk plaket. Athëhere lindin idetë e mëdha, ke vizion të madh dhe të gjitha arritjet e njerëzve janë arritur në momentet kur truri ka qenë i qetë. Kur truri ka qenë i qetë i ka kontaktuar ata pjesë të mendjes së zgjuar.

Më kujtuat një shembull i një shkencëtareje të madhe M.Curie, e cila prej vitesh kërkonte një formulë shumë të rëndësishme dhe një natë ajo zgjohet pa kuptuar, shkruan formulën dhe fle prapë. Kur zgjohet e gjen formulën e përfunduar mbi tavolinën të shkruar me shkrimin e saj por nuk e mbante mend si kishte ndodhur. Si shpegohet kjo?

Sot në Standford e kanë futur ëndërrimin si lëndë shkollore. Jo ëndrrat por ëndërrimin pra inkubimi i ëndërrave. Ne shohim gjatë ëndërrimit figura që janë simbole. Sot shkencëtarët e shpjegojnë se çdo të thotë një simbol. Çdo simbol është i shpjegueshëm nëse është inkubuar, pra është bërë proces që quhet inkubim. Çdo të thotë – minutat e para, para se të flemë inkubojmë mendimet në mënyrë që të  bëhet ëndrra ëndërrim të ëndrrës ti shqetësohesh përshembull për djalin – si do të  shkojë në shkollë, ky është ëndërrim, por në mënyrë të vetëdijshme ke inkubuar djalin. Pastaj shohim fotografi, atëherë ka realitet. Kurse kur sheh fotografi pa lidhje atëherë je vetëm në ëndrra. Mund të kesh menduar se dikush po të thërret në telefon dhe ai person të telefonon. Ky është sinkronizim. Rrjedh nga 2 fjalë Sinkron – organizim dhe kronos – koha. Pra në një kohë të caktuar ka sinkronizim nga universi. Nëse je në gjendje meditative me pak arrin shumë.  Sepse gjatë meditimit gjërat orkestrohen nga simfonia më e madhe e universit. Në gjendje meditative ti arrin atë vetëdije të lartë dhe kur ke mbështetjen e universit ato organizohen dhe ti mendon dhe e gjen. Ne u kërkuam bashkë në gjendje meditimi dhe ja ku sot u takuam. Nuk jemi takuar rastësisht (qesh).

Nga kjo intervistë shumë lexues do arrijnë të zbulojnë sesa e rëndësishme është vetëdija dhe shumë prej tyre do të donin të zbulonin rrugët që të çojnë në zbulimin e vetëdijes a ka ndonjë gjë që ndikon në të nga jashtë apo çdo gje vjen nga brenda?

Në librin tim kam shkruar bashkë me një mikun tim kardiolog shumë të famshëm, dhe kam shpjeguar sesi mund të arrihet shëndeti me anë të meditimit dhe të jemi të pasur nga ana materiale. Unë i kam arritur të dyja tek vetja dhe kam shëruar edhe njerëz të tjerë me zemër të sëmurë kur mjekët nuk i jepnim më shumë se 2 javë kohë. Njerëzit që meditojnë shërojnë veten dhe të tjerët. Gjithçka në univers është inteligjencë. Nëse rri me njerëz që meditojnë pra që janë të qetë, atëherë lirohet në hapësirë pozitiviteti. Nëse rri me njerëz të stresuar njëkohësish ti merr hormone negative në hapësirë. Këto janë fusha magnetike. Vetëm të jesh në prezencën e dikujt arrin të ndjesh energjinë e tyre pasi ajo nuk mund të ndalet. Çdo gj në univers është në gjendje vibrative ndërsa koncepti shkencor nuk ndërrohet.

A besoni në Karma?

Absolutisht. Karma është fara që mbjellim ne me ato çka mendojmë apo veprojmë. Të gjitha këto shkojnë në një kanto universale dhe thuhet edhe në Shqipëri – ç’të mbjellsh do të korrësh – Karma është reaksion i aksioneve që ke bërë përpara. Edhe mendimet, ne duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë mendojmë. Fillimisht ne kemi një vetëdije dhe ajo është si një liqen i qetë. Kur fillojmë të shqetësohemi fillojnë edhe vibrimet e sipërfaqes ku vijnë dallgët. Njeriu ka një vetëdije gjithmonë në gjendje vibrative dhe këtu fillon vetëdija e cila bëhet mendim, mendimi bëhet fjalë, fjala bëhet aksion, aksioni shprehi, shprehia bëhet karakter dhe karakteri na dominon duke na treguar kush jemi. Pra, kemi një kontakt me vetëdijen e lartë. Kur kemi mendime të larta, përcjellim energji pozitive dhe kryejmë aksione pozitive. Atëherë e bëjmë shprehi dhe karakteri ynë do të jetë pozitiv. Por gjithmonë duhet të kemi lidhje me vetëdijen e lartë.

Duket ndonjëherë sikur çdo njeri ka fatin e tij. Por a mund ta ndryshojmë fatin tonë?

Njeriu ka një sistem nervor. Mes sistemit nervor ka qeliza dhe midis tyre është një hapësirë. Mes një mendimi dhe një mendimi tjetër ka një hapësirë. Mes dy telave të kitarës ka një hapësirë, mes këtyre dy mureve ka një hapësirë. Mes këtyre hapësirave kemi mundësinë për të krijuar, mundësinë për të zgjedhur për veten. Me aftësitë tona dhe me vetëdijen tonë bëjmë zgjedhjet tona. Këto përcaktojnë destinacionin dhe suksesin në jetën tonë. Meqë Zoti na ka dhënë mundësi të zgjedhim pra na ka krijuar këto hapësira, ne zgjedhim.

Ne kemi shpesh tendencën për t’ia lënë fajin vendit ku kemi lindur, families që s’na ka dhënë mundësi, mjedisit etj. Pse disa njerëz shpërthejnë në kësisoj argumentash?

Nëse flasim për hapësirën që quhet Shqipëri – kjo hapësirë ka gjuhën e vet, ka fjalët e veta dhe ka krijuar shprehitë e veta. Sepse kemi jetuar kështu duke fajësuar të tjerët kemi këto probleme. Nuk mund t’i zgjidhim ato duke fajësuar të tjerët. Njeriu duhet të ketë përgjegjësi. Jemi shqiptarë nga konceptet që kemi përvetësuar dhe nga gjuha që flasim. Kjo na dallon. Truri i njeriut kur lind nuk është as shqiptar, as amerikan e as kinez. Truri ëhtë një hapësirë e përdorur për të kontaktuar dijen në univers. Ne sot akoma nuk merremi vesh edhe pse flasim gjuhën shqipe. Shiko sa mosmarrëveshje kemi në familjet tona, me fëmijët, me partnerët, me politikat etj. Ne do të merremi vesh me ndjesinë që kemi ndaj dikujt.  Për të njohur dikë duhet të njohim veten, për të dashur dikë duhet të duam veten, për të kuptuar dikë duhet të kuptojmë veten. Veda thotë – kur e njoh veten njoh të gjithë të tjerët. Njeriu mendon se është produkt i rrethanave, por nw fakt wshtw produkt i zgjedhjeve tw lira dhe vendimeve që merr në jetë. Konkretisht – ne kemi aftësinë që na ka dhënë zoti për të zgjedhur. Pasojat që lindin nga zgjedhjet nuk i kemi nën kontroll. Ne nuk jemi produkt i rrethanave. Ç’do njeri që ka tru normal ekziston dhe ka mundësi zgjedhjeje. Fjala ‘responsability’ i ka rrënjët në 2 fjalë, “re” – është kthim te vetja, dhe “sponsability” është aftësia për të dhënë përgjigje që të tjerët nuk dinë t’i japin. Njeriu duhet të ketë 100 përqind përgjegjësi për suksesin dhe jetën e tij. Në momentin kur nuk je i përgjegjshëm/ i ndërgjegjshëm ia vë fajin dikujt tjetër për paaftësinë tënde.

Mund të na tregoni ndonjë episod nga jeta juaj personale?

Krejt fëmijëria ime ka qenë çdo vit specifike. Prej momentit kur kam filluar të mendoj, kam jetuar pa nënën time pasi babai im u nda prej saj dhe unë nuk e mbaj mend nënën time. Babai im u martua 3 herë dhe unë kam jetuar midis këtyre turbulencave. Jeta ime ka kaluar në temperatura të larta të jetës, por këto flakë më kanë kalitur – çeliku bëhet çelik vetëm mbi 2 mijë gradë celcius. Pra, nuk kam kaluar një jetë statike por me dallgë. Për një fëmijë është shumë e rëndë kjo jetë por teknologjia e meditimit e ka shpërlarë të kaluarën. Unë me këtë vetëdije që kam nuk i kthehem të kaluarës dhe ato gërvishtje që m’i ka lënë e kaluara unë i kam shlyer me meditim, edhe ata njerëz që më kanë bërë keq unë sot i kam falur. Të parën falje që duhet të bëjmë të gjithë në jetë është falja e vetes.

Pse disa njerëz e kanë të vështirë falin?

Kjo ndodh vetëm për një arsye, sepse komponentin “ego” njerëzit e kanë shumë të zhvilluar. Por nuk mund të jetosh pa shpirt. Shpirti i pa aktivizuar do të thotë të jetosh në pavetëdije. Këta jetojnë me mendje të fortë por pa zemër dhe pa shpirt, pra janë të pavetëdijshëm. Mungesa i bën njerëzit të mos mund të falin atë që nuk e kanë. S’ka njerëz pa gabime, por gabimi më i madh është të fokusohemi ne gabimet tona dhe të të tjerëve. Mendja e pa zhvilluar është pasojë e koncepteve që na janë vënë të cilat nuk na kanë lënë ta zhvillojmë atë. Çdo gabim ka një arsye prandaj duhet lënë të rrjedhë, duhet të jetë energji që do të ndodhë.

Shumë njerëz sidomos në Shqipëri ngelen peng i së shkuarës sepse nuk arrijnë dot të ecin përpara. Si mund ta fshijmë të kaluarën?

Individët kanë interesa për t’iu kthyer së kaluarës, për ta bërë dramë duke i vendosur mure vetes. Po të jetojmë në të tashmen ajo nuk vritet, as nuk deformohet nuk shkatërrohet dhe nuk dobësohet. Dobësimi vjen kur e çojmë mendjen ne të kaluarën. Në këtë moment trupi dhe mendja ime është e dobët. Feja sot, duke u larguar nga principet themelore, nga baza e krijimit të saj e ka çuar njeriun drejt frikës. Frika është dobësimi i qelizave, fiziologjia e dobësuar është keq për mendjen dhe trupin. Feja dhe politika ka sjellë ndarjen e njerëzimit dhe kështu njerëzimi është më i dobët. Këtë e ka arritur vetëm me anë të frikës, frika për vdekjen, frika për të ardhmen, dhe sot ne nuk jetojmë. Si të lirohemi? Duke gjetur qetësinë. Një njeri që nuk frikësohet nuk manipulohet prej askujt.

Ç’mendim keni për vdekjen?

Koncepti im mbi vdekjen ka ndryshuar. Në fillim kisha shume frikë. Kur nuk e kam pasur këtë vetëdije kujtoja se do humbja sepse do humbja trupin, pasurinë fëmijët dhe gjithçka kam. Në atë gjendje të vetëdijes së dobët ne friksohemi nga humbja. Frika na është imponuar nga konceptet dhe sidomos frika nga vdekja ka arritur në shkallën më të lartë me synim për të dobësuar njeriun dhe për mos e lënë atë të jetojë të tashmen. Duke medituar e kam parë se vdekja nuk ekziston, sepse nuk ka mendime, vetëm mendimet të frikësojnë. Vdekja, terri ekziston për shqisat  tona, por në fakt errësira është mungesë e dritës. Vdekja është koncept që na është imponuar. Çfarë humbim ne? Pyetja është, me çfarë kemi ardhur në jetë? Me asgjë, dhe kemi për të shkuar në asgjë. Çdo gjë në univers vjen prej asgjësë. Muzika krijohet jo prej telave por prej boshllëkut mes dy telave. Zëri nuk krijohet nga kordat por nga boshllëku i fytit. Pra nëse ndërrojmë konceptet tona mbi vdekjen duke mos e quajtur atë humbje por paqe e përhershme. Po të jetojmë me frikën e vdekjes ne jemi në një burg që është imponuar, po të lirohemi nuk mund të na manipulojnë. Qëllimi i feve të sotme është ai i manipulimit, por në krijimin e tyre secila ka për bazë faljen dashurinë, paqen. Fjala “religion” do të thotë njohje e vetes. Ky mision humbi me kalimin e kohës. Duke e ndarë njeriun nga njëri tjetri. I vetmi religjion i së ardhmes duhet të jetë meditimi që është të njohësh veten pa dalluar askënd. Vdekja për mua nuk ekziston, pasi në gjendje meditative e shoh që trupi im nuk ekziston më, e as mendimet e mia nuk ekzistojnë. Nuk ekziston asgjë përveç vetëdijes, dhe meqë unë e kam përjetuar këtë me meditim, jam çliruar nga frika e vdekjes. Vdekja sjell frikë kurse meditimi sjell dashuri. Dhe kur njeriu është i dashuruar me jetën dhe me çfarë ka përreth ai e shijon jetën. Sikurse terri është mungesë e dritës, frika është mungesë e dashurisë dhe mungesë e vetëdijes së lartë.

Pra Hetem Ramadani nuk ka frikë nga asgjë?

Në gjendjen kur përjetoj meditim dhe pas meditimit vetëdija ime është në balancë me universin. A frigohet hapësira? Jo. Pra kur bëhesh shpirt nuk ke frikë nga asgjë, ne frikësohemi nga mendimet që i krijojmë vetes. Kur i fshijmë konceptet dhe pranojmë që nuk jemi tjetër veçse vetëdije atëherë nuk frikësohesh. Ne jemi inteligjencë, energji dhe kur e ke këtë vetëdije të lartë atëherë kurrë nuk ke frikë. A mund ta djegësh hapësirën, a mund ta lagësh, a mund ta vrasësh atë? Shpirti është hapësirë prandaj ai nuk mund të frikësohet. Për këtë arsye duhet të meditojmë, pasi kur meditojmë bëhemi shpirtra. Unë meditoj mesatarisht 3 deri në 4 orë në ditë. Kështu edhe nuk plakesh. Në një revistë kishin shkruar se Inva ka marrë një burrë të vjetër. Por mosha çfarë është? Është ajo që je, dhe mosha ime është shumë e re. Kjo ka ardhur me anë të ndaljes së kohës me meditim. Asnjë njeri sot në botë nuk vdes nga vitet e tepërta, vdesin nga sëmundjet dhe nga aksidentet. Këto janë burimi i vdekjes, dhe jo vitet. Prandaj ne kur e ndërrojmë konceptin e moshës, dhe pranojmë se nuk vdesim nga vitet, atëherë jeta jonë zgjatet, frika e vdekjes zhduket.

 

Çdo fëmijë vjen në univers me një mision të caktuar

Ju jeni babai i katër vajzave. Si e shohin ato babain e vet dhe a janë ato duke ndjekur të njëjtën rrugë si babai i tyre? A keni mundur t’i përfshini edhe ato në këtë lloj fryme të meditimit?

Të gjithë ne që kemi fëmijë mendojmë se ata janë fëmijët tanë. Kahlil Gibran ka thënë – “Fëmijët tanë nuk janë tanët por ata vijnë në këtë botë përmes nesh”. Unë e kam pranuar dhe e kam shumë përzemër këtë thënie. Ata nuk na takojnë ne, por universit, i takojnë jetës. Ne duam që fëmijët të bëhen si ne, por e kemi gabim, i kemi sjellë mes njerëzve, pra jemi agjentët e fëmijëve tanë, i kemi dorëzur në tokë me anë të jetës. Prandaj ne dëshirojmë që fëmija të bëhet si ne. Fëmija do të bëhet kush është ai vetë. Këtë koncept unë e kam mbajtur gjithmonë. Duke mos pasur parasysh këtë ne bëjmë gabime me fëmijët tanë dhe sidomos nëna. Nëna është mantra më e fuqishme për fëmijët, por duke dëshiruar që fëmijët të bëhen si ajo nuk lejon ndërrimin në univers. Maksimumi që duhet të bëjmë për fëmijët është dashuria. Në gjendje meditative të gjithë jemi fëmijët e universit. Çdo fëmijë vjen në univers me një mision të caktuar. Njeriu vjen në jetë me veprën dhe zemrën e tij, dhe prindi e ka për detyrë t’i japë lirinë dh eta stimulojë që të zbulojë cila është  vepra e tij. Kur e pranojmë këtë koncept dhe atë që bëjmë për fëmijët tanë bëjmë edhe për të tjerët, atëherë bota ka për të qenë në paqe.

Pra vajzat e tua janë të lira të bëjnë zgjedhjet e tyre?

As vajzat e mia dhe as çdo qenie tjetër njerëzore nuk jeton i lirë. As unë e as ti nuk jetojmë të lirë. Jemi brenda burgjeve të koncepteve të prindërve, të rrethit shoqëror e më tej. Prandaj besoj se fëmijët e mi janë shumë pak të lirë.

Po trashëgimia gjenetike çfarë ndikimi ka te këta fëmijë?

Përpara shkenca nuk i kishte zbuluar gjenet dhe mjekësia mendonte se nëse babai ose nëna kishte një sëmundje atëherë atë do të kishte dhe fëmija. Sot e dimë se shkencëtarët janë të aftë t’i manipulojnë këto gjene. Edhe vetë ne me anë të zgjedhjeve që bëjmë ndryshojmë genet tona. Ne nuk jemi produkt i rrethanave kështu nuk jemi as produkt i geneve. Është mundësi apo përqindje shumë e vogël që mund të ndodhë. Por me zgjedhjen tona dhe vendimet që marrim në jetë si dhe  duke ndërruar këndin e shikimit tonë, gjërat mund të ndërrojnë. Kur vrojtuesi, e vrojtuara dhe vrojtimi bëhen një atëherë jemi të qetë.

Po tek Inva çfarë ju tërhequr, çfarë ju çoi tek ajo? Ka qenë energjia, meditimi apo aftësia?

Në nivelin fizik ka qenë rastësia, pasi ka qenë rastësi që jemi takuar. Por sipas meje ajo është orkestruar nga simfonia më e madhe e universit për shkak të synimit që ne kemi dhe për shkak të asaj që jemi. Çdo gjë që ne arrijmë është si pasojë e shkallës sonë të vetëdijes. Nëse jetojmë në shkallën më të lartë të vetëdijes ne kemi shëndet perfekt. Prandaj si Inva, si fëmijët e mi, si çdo gjë që unë kam sot, janë burim i sinkronizimit të orkestrës universale. Gjërat më të mëdha unë i kam arritur në fazë meditative. Ne jemi takuar sepse kemi vibruar në univers dhe këto vibrime janë orkestruar.

Janar, 2012

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *