Nga Fatima Gorezi
19 nëntor 2018, Vatikani foli shqip! Një atmosferë e këndshme me dozën e patjetërsueshme të një krenarie kombëtare duket se kishte e kapluar Selinë e Shenjtë. Papa Francesku kishte organizuar një pritje me rastin e vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar. Kjo ceremoni u pasua nga një aktivitet kulturor në Teatrin “Argentina“ në Romë, të organizuar nga Ambasada Shqiptare në Selinë e Shenjtë me pjesëmarrjen e disa prej personaliteteve më të shquar të artit, muzikës dhe sportit shqiptar.
Pjesë e eventit i cili bëri bashkë jo vetëm shqiptarë , por edhe miq të shqiptarëve, njerëz që kanë kontribuar ta ngrenë lart emrin e Shqipërisë nëpër botë ishin dhe filantropisti Hetem Ramadani, themeluesja e platformës për fuqizimin e grave ‘’Global Woman ‘’ Mirela Sula, por edhe themeluesja e ‘’Success Resources’’ Veronica Tan. Radhë, njëri pas tjetrit artistët e shquar shqiptar si Ermal Meta, Dua Lipa, Olen Çezari, Inva Mula, Kledi Kadiu, Elhaida Dani , Lorik Cana, Genc Tukiçi, Eno Peçi, Erza Muqolli dhe Ramë Lahaj u ngjitën në skenë me interpretimet e tyre të jashtëzakonshme, çka e bëri publikun shqiptar në sallë të duartrokasë dhe të ngrihet në këmbë disa herë.
‘’Bashkë për Shqipërinë’’ e shndërroi teatrin “Argentina” në Romë në vatrën e kulturës dhe personaliteteve më të shquara shqiptare. Një ndër momentet më kulminante dhe emocionuese të mbrëmjes që ngriti peshë zemrat e gjithë shqiptarëve të pranishëm ka qenë performanca e gjithë artistëve bashkë në përmbyllje duke kënduar këngën e njohur “Luleborë”.
Ceremonia dhe koncerti ishte jo vetëm në nderim të figurës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, por edhe të identitetit shqiptar, duke nxjerrë në pah vlerat më të mira shpirtërore dhe kulturore të popullit tonë.
Sipas Papa Francesku, Skënderbeu i kontriuboi me veprat e tij identitetit kulturor shqiptar, duke u bërë simbol i padiskutueshëm i kohezionit dhe unitetit kombëtar dhe përcjellës në shkallën më të lartë të vlerave të besnikërisë ndaj angazhimeve të ndërmarra lirisht.
Edhe pse kohërat kanë ndryshuar nga Skenderbeu deri me sot, duket se misioni i personaliteteve të shquar shqiptare është po ai ; të japin kudo modelin e shqiptarit të mirë, të suksesshëm dhe të talentuar.
Emra si Dua Lipa, Inva Mula , Mirela Sula, Hetem Ramadani etj që janë ambasadorët më të mirë nëpër botë që e ngrenë lart emrin shqiptar dhe na bëjnë padiskutim krenarë. Duket shpeshherë sikur shqiptarët bashkohen nën një fat të përbashkët : ata janë ndër njerëzit që kanë mundur të sfidojnë fate e fatkeqësi, kohë e mendësi, pamundësi e brishtësi për t’ia dalë mbanë e qenë të suksesshëm, jo vetëm për vete, por për gjithë shqiptarët.